Një tentativë për t’iu shmangur kontrollit policor ka përfunduar me sekuestrimin e një arme zjarri dhe arrestimin e një 44-vjeçari në Gjakovë, raporton Sinjali. Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Agim Hajdari, rreth 44-vjeçar.. Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 18 korrikut, rreth orës , në rrugën “Fadil Nimani” në Gjakovë.
I dyshuari, duke drejtuar një veturë të tipit Seat, dyshohet se nuk u është bindur urdhrave të Policisë për t’u ndalur në një pikë kontrolli. Patrulla ka nisur ndjekjen e automjetit dhe pak më vonë e ka lokalizuar atë në një parking.
Gjatë kontrollit, policët kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë TT, kalibër 7.62 mm, si dhe një karikator të zbrazur, të cilin, sipas dyshimeve, i dyshuari e kishte hedhur në tokë. Brenda automjetit është gjetur gjithashtu edhe një shufër metalike, e cila është sekuestruar si provë materiale.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se 44-vjeçari nuk është intervistuar menjëherë, pasi testi i alkoolit ka rezultuar se ai kishte 1.84 promil alkool në gjak. Përveç procedurës penale, ndaj tij është shqiptuar edhe kundërvajtje për drejtim të automjetit në gjendje të dehur.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj Agim Hajdarit është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa ai është liruar në procedurë të rregullt. Hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
