Prishtinë, – Samsung Electronics prezantoi sot teknologjinë e re Flex Titanium për gjeneratën e ardhshme të pajisjeve të palosshme Galaxy.
E ndërtuar mbi shtatë gjenerata inovacioni dhe ekspertize inxhinierike në fushën e pajisjeve të palosshme, struktura e ridizajnuar e ekranit përdor përparime në materialet dhe ndërtimin e tij për të ofruar një përvojë më të rafinuar shikimi, me qëndrueshmëri të përmirësuar dhe dukshmëri më të ulët të vijës së palosjes.
E mundësuar nga përvoja shumëvjeçare e Samsung në zhvillimin e ekraneve, teknologjia Flex Titanium integron dy komponentë me bazë titani, një film prej aliazhi titani dhe një pllakë titani, që punojnë së bashku për të balancuar hollësinë, fleksibilitetin dhe qëndrueshmërinë brenda strukturës së ekranit të palosshëm.
“Fuqia e Samsung në kategorinë e pajisjeve të palosshme buron nga aftësia për të lidhur nevojat e përdoruesve me teknologji që sjellin përfitime konkrete në jetën e përditshme,” tha Sunghoon Moon, Zëvendëspresident Ekzekutiv dhe Drejtues i Lartë i Zyrës së Kërkimit dhe Zhvillimit për Pajisjet Mobile (Mobile R&D Office – H/W), Samsung Electronics.
“Për gjeneratën e ardhshme të pajisjeve Galaxy të palosshme, Samsung po ndërton mbi vite ekspertize për të sjellë inovacione në ekranet që përmirësojnë përvojën e përdoruesve, duke u mbështetur në një përvojë të jashtëzakonshme vizuale.” Duke u bazuar në përvojën shumëvjeçare me pajisjet e palosshme Samsung ka luajtur një rol udhëheqës në avancimin e inovacionit të ekraneve për pajisje mobile, duke e sjellë këtë teknologji te miliona përdorues përmes pajisjeve të saj.
Kjo trashëgimi përfshin përdorimin e gjerë të ekraneve AMOLED që nga viti 2007, si dhe evolucionin e tyre drejt formateve fleksibile. Teknologjitë inovative e arrijnë potencialin e tyre të plotë dhe ofrojnë përvoja domethënëse për përdoruesit vetëm përmes përmirësimit të vazhdueshëm në kushte reale përdorimi, dhe kategoria e pajisjeve të palosshme nuk bën përjashtim.
Gjatë shtatë gjeneratave të pajisjeve Galaxy të palosshme, Samsung ka dëgjuar me vëmendje komentet dhe nevojat e përdoruesve.
Kjo i ka mundësuar kompanisë të kuptojë në thellësi se çfarë presin përdoruesit nga kjo kategori: një përvojë shikimi më të madhe dhe më gjithëpërfshirëse, me një vijë palosjeje më pak të dukshme, pa bërë kompromis me qëndrueshmërinë apo lehtësinë e përdorimit në lëvizje.
Për t’iu përgjigjur këtyre pritshmërive, Samsung duhej të rishikonte mënyrën se si ndërtohen ekranet e palosshme, duke kombinuar risitë më të fundit në teknologji, materiale dhe inxhinieri mekanike. Rezultati është arritja më e re në inovacionin e ekraneve të palosshme: teknologjia Flex Titanium.
Duke integruar me sukses inovacionin e ekranit me inxhinierinë e pajisjes, Samsung do të vazhdojë të përcaktojë drejtimin e industrisë mobile dhe të ofrojë përvoja të jashtëzakonshme për përdoruesit.
Flex Titanium: Një nivel i ri i përvojës së shikimit Për të krijuar një ekran që ofron një përvojë gjithëpërfshirëse shikimi, duke ruajtur njëkohësisht aftësinë për t’i përballuar sfidat e përdorimit të përditshëm, Samsung ka aplikuar një qasje të re në dizajnin strukturor.
Kjo kërkonte një material mjaftueshëm të fortë për t’i rezistuar goditjeve të jashtme, mjaftueshëm fleksibël për të përballuar palosje të përsëritura dhe njëkohësisht mjaftueshëm të hollë për t’u integruar në strukturën elegante të pajisjes. Gjetja e ekuilibrit mes këtyre tre faktorëve ishte thelbësore për avancimin e ekraneve të palosshme, ndërsa titani ofroi kombinimin ideal.
I njohur për qëndrueshmërinë dhe rezistencën e tij, titani përdoret në disa nga aplikimet më kërkuese, përfshirë antenat satelitore dhe rrotat e roverëve që eksplorojnë Marsin. Megjithëse pikërisht kjo fortësi e bën një material të besueshëm, ngurtësia e tij paraqet edhe sfida të konsiderueshme inxhinierike kur përdoret në strukturën e hollë dhe fleksibile të një ekrani të palosshëm.
Duke u mbështetur në ekspertizën e saj, Samsung ka integruar titanin në dy komponentë kyç: shtresën e aliazhit të titanit dhe pllakën e titanit. Shtresa e aliazhit të titanit është komponenti që i ofron ekranit mbështetje nga brenda dhe ndodhet poshtë panelit OLED. Krahasuar me shtresat polimerike, ajo ofron një ngurtësi mekanike 20 herë më të madhe.
Procesi i valëzimit me precizion e bën këtë material jashtëzakonisht të hollë, trashësia e tij është rreth një e treta e trashësisë së një fijeje mesatare floku, duke mundësuar krijimin e një paneli ekrani edhe më të hollë. Poshtë saj ndodhet pllaka e fortë prej titani, një strukturë fleksibile që i siguron modulit të ekranit mbështetje nga poshtë.
Me ndihmën e teknologjisë së avancuar të përpunimit të mikrovrimave eliminohen boshllëqet e ajrit midis modulit dhe ngjitësit në pllakë, duke siguruar një lidhje më të fortë me vetë modulin e ekranit. Kjo strukturë e re ofron mbështetje më të qëndrueshme kur ekrani është i hapur, duke ruajtur njëkohësisht fleksibilitetin e nevojshëm për palosje të përsëritura.
Për më tepër, falë integrimit të arkitekturës me rezolucion të lartë dhe materialeve organike të gjeneratës së re, ekrani i ri ofron cilësi jashtëzakonisht të lartë të figurës, ndërsa njëkohësisht ul konsumin e energjisë, duke përmirësuar ndjeshëm efikasitetin e përgjithshëm energjetik.
“Duke integruar mikrovrima të sofistikuara në pjesën e palosshme të pllakës së titanit, kemi arritur të kombinojmë fleksibilitetin me qëndrueshmërinë e lartë,” tha Kyung-Jin Yoo, Zëvendëspresident Ekzekutiv dhe Drejtues i ekipit për zhvillimin e produkteve të ekraneve mobile në Samsung Display.
“Duke kombinuar arkitekturën e ekranit me rezolucion të lartë me materiale organike të reja që maksimizojnë efikasitetin energjetik, do të forcojmë më tej konkurrueshmërinë e gjeneratës së ardhshme të pajisjeve Galaxy të palosshme.”
Së bashku, këto përmirësime mundësojnë krijimin e një ekrani të palosshëm të fuqishëm që maksimizon përvojën gjithëpërfshirëse të shikimit në një ekran pothuajse pa ndërprerje, zvogëlon dukshëm dukshmërinë e vijës së palosjes dhe njëkohësisht ruan një dizajn të hollë dhe elegant.
Duke arritur ekuilibrin mes fortësisë, fleksibilitetit dhe stabilitetit strukturor, Samsung vazhdon të vendosë standarde të reja për ekranet e palosshme. Teknologjia e re Flex Titanium do të debutojë me gjeneratën e ardhshme të pajisjeve Samsung Galaxy të palosshme. Më shumë detaje do të zbulohen në ngjarjen e ardhshme Galaxy Unpacked.
Rreth Samsung Electronics Samsung frymëzon botën dhe formëson të ardhmen përmes ideve dhe teknologjive transformuese. Kompania po rishkruan kufijtë e botës së televizorëve, sinjalistikës digjitale, smartfonëve, pajisjeve të veshshme, tabletëve, pajisjeve shtëpiake dhe sistemeve të rrjetit, si dhe në fushat e memories, sistemit LSI dhe prodhimit të çipeve (foundry).
Samsung po avancon gjithashtu teknologjitë e imazherisë mjekësore, zgjidhjet HVAC dhe robotikën, ndërsa krijon produkte novatore në industrinë automobilistike dhe atë të audios përmes Harman.
Me ekosistemin SmartThings, bashkëpunimet e hapura me partnerët dhe integrimin e inteligjencës artificiale në të gjithë portofolin e tij, Samsung ofron një përvojë të lidhur, inteligjente dhe intuitive. Për risitë më të fundit, vizitoni Samsung Newsroom në news.samsung.com.
