CIA ka publikuar dokumente të deklasifikuara që, sipas raportit, tregojnë se regjimi i Hugo Chavezit kishte ndërtuar që nga viti 2012 një sistem teknik të aftë për të manipuluar deri në 1.5 milion vota në zgjedhjet presidenciale në Venezuelë.
Dokumentet, të deklasifikuara me urdhër të presidentit amerikan Donald Trump, nuk provojnë se manipulimi ka ndodhur në çdo zgjedhje të përmendur, por pretendojnë se infrastruktura për ta bërë këtë ekzistonte.
Sipas raportit të CIA-s, Drejtoria e Përgjithshme e Kundërzbulimit Ushtarak (DGCIM), Shërbimi Bolivarian i Inteligjencës (SEBIN) dhe Këshilli Kombëtar Zgjedhor (CNE) ishin në gjendje të manipulonin rezultatet përmes makinave të votimit të programuara paraprakisht, veçanërisht në zonat me mbështetje të fortë për Chavezin.
Kapaciteti i këtij sistemi vlerësohet të ketë qenë të paktën 1.5 milion vota. Dokumentet i referohen zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012, kur Hugo Chavez mposhti kandidatin opozitar Henrique Capriles, në një periudhë kur qeveria kishte rritur ndjeshëm shpenzimet publike.
Publikimi i këtyre dokumenteve pritet të rindezë debatin mbi integritetin e proceseve zgjedhore në Venezuelë, pasi opozita kishte ngritur prej vitesh akuza për manipulim të zgjedhjeve, por pa pasur më parë dokumente zyrtare amerikane që përshkruanin ekzistencën e një infrastrukture të tillë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
