Publikimi i mocionit të Elisa Spiropalit, e cila kërkon një marrëveshje të re sociale dhe demokratizimin e Partisë Socialiste, ka nxitur reagime edhe në radhët e shoqërisë civile dhe aktivistëve. Mbi këtë nismë ka reaguar ashpër aktivistja dhe protestuesja e njohur, Ira Kurti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo ka bërë publik mesazhin e drejtpërdrejtë që i ka dërguar Spiropalit, duke shpërndarë një qëndrim mjaft kritik ndaj klasës aktuale politike në vend.
“Nuk ka reformim që ju shpëton” Sipas aktivistes Kurti, kauza kryesore e mijëra protestuesve për një “Shqipëri të re” nuk kalon nga reformat e brendshme partiake, por nga një ndëshkim i pastër kushtetues për dy forcat kryesore politike në vend.
Ajo thekson se pika kryesore e këtij ndryshimi duhet të jetë shpallja e Partisë Socialiste të Edi Ramës dhe Partisë Demokratike të Sali Berishës si të jashtëligjshme, për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të Kushtetutës. “Nuk ka reformim që mund t’ju shpëtojë, ” shkruan Kurti, duke prerë çdo mundësi kompromisi me tezat e reja të hedhura për diskutim brenda mazhorancës.
“Komenti im te faqja e Elisa Spiropalit sot! Më fal që po komentoj te ky postim që ti me të drejtë i drejtohesh partisë ku militon. Shqipëria e re kërkon që Partinë tënde dhe Partinë e Saliut ta nxjerri të jashtëligjshme për shkeljet e Kushtetutës Nenin 9, 1, 2, 3, 13, 41, 42, 181 e në vazhdim! Pra nuk ka reformim që do bëni ju tani që t’ju shpëtoj!!
Ju që sot ngrini kartonat me urdhrat e kryetarit të aprovoni ligje kundra interesave tona Kombëtare. Nëse ndjeheni zhgënjim nga kryetarët tuaj jepni dorëheqjen, dilni të pavaruar..kjo do j’u jepte pak nder në sytë e publikut!! Këtë reflektim duhet ta kishit shprehur të paktën qysh më 2008, kur ja hoqët sovranitetin qytetarëve dhe centralizuat pushtetin!!” , thekson aktivistja.
