Pas problemeve të raportuara me transportin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Ministria e Mbrojtjes ka anuluar tenderin për mirëmbajtjen e autobusëve, me vlerë të parashikuar prej 66 mijë euro. Sipas njoftimit për anulimin e procedurës së prokurimit, vendimi është marrë pasi operatori i vetëm ekonomik që kishte dorëzuar ofertë është konstatuar si i papërgjegjshëm.
Në këtë procedurë kishte ofertuar vetëm një kompani, e cila kishte paraqitur një ofertë financiare në vlerë prej afër 40 mijë euro. Megjithatë, oferta nuk është konsideruar e përgjegjshme. Në arsyetimin e Ministrisë thuhet se kompania ofertuese nuk i ka përmbushur kërkesat e dosjes së tenderit.
Konkretisht, është konstatuar se personat e paraqitur në ofertë nuk i plotësojnë kualifikimet dhe specifikimet teknike të kërkuara në dokumentacionin e tenderit. Si rrjedhojë, procedura e prokurimit për mirëmbajtjen e autobusëve të FSK-së është anuluar dhe pritet të shihet nëse Ministria do ta rihapë tenderin në një fazë të mëvonshme.
