Asambleja Kombëtare e Francës ka miratuar ligjin që u mundëson personave të rritur me sëmundje të pashërueshme të kërkojnë medikamente për t’i dhënë fund jetës së tyre. Projektligji mori 291 vota pro dhe 241 kundër, duke përmbyllur një debat shumëvjeçar mbi kujdesin dhe vendimmarrjen në fazën e fundit të jetës.
Presidenti francez Emmanuel Macron e ka përshëndetur miratimin e ligjit, duke theksuar se ky ishte një prej angazhimeve të tij të marra që në vitin 2022. Sipas legjislacionit të ri, kjo e drejtë do të zbatohet vetëm për personat që plotësojnë kriteret e përcaktuara me ligj.
Deri më tani, në Francë lejohej vetëm sedacioni i thellë për pacientët në fazë terminale, ndërsa vetëvrasja e asistuar dhe eutanazia nuk ishin të ligjshme. Vetëvrasja e asistuar nënkupton që pacienti e merr vetë medikamentin e përshkruar nga mjeku, ndërsa në rastin e eutanazisë, medikamenti administrohet nga personeli shëndetësor me kërkesë të pacientit.
Për shkak të kufizimeve të mëparshme, shumë qytetarë francezë kanë udhëtuar drejt vendeve të tjera ku këto praktika lejohen me ligj. Vendimi vazhdon të ngjallë debate të forta ligjore, etike, morale dhe fetare, veçanërisht në një vend me traditë të fortë katolike si Franca. Diskutime të ngjashme po zhvillohen edhe në vende të tjera evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
