Deklarata e fundit e ministers serbe Snežana Paunović (SPS), sipas së cilës, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”, nuk është thjesht një deklaratë politike e papërgjegjshme.
Ajo përbën një apologji të rrezikshme të një politike që komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar si politikë të dhunës sistematike, të spastrimit etnik dhe të shkeljeve masive të të drejtave të njeriut. Në çdo shoqëri demokratike, fjalët kanë peshë.
Kur një zyrtare publike shpreh nostalgji për një politikë që solli mijëra viktima, qindra mijëra të dëbuar dhe shkatërrimin e qyteteve e fshatrave, ajo nuk shpreh vetëm një mendim personal. Ajo relativizon krimet e së kaluarës dhe dërgon një mesazh shqetësues për të ardhmen. Historia nuk mund të rishkruhet sipas nevojave të propagandës politike.
Fundi i shekullit XX në Kosovë është dokumentuar nga organizata ndërkombëtare, nga gjykatat ndërkombëtare, nga raportet e organizatave për të drejtat e njeriut dhe nga mijëra dëshmi të viktimave.
Politika e regjimit të Sllobodan Millosheviqit nuk ishte politikë e bashkëjetesës, por politikë represioni, diskriminimi institucional, dëbimi masiv i popullsisë civile dhe përdorimi sistematik i forcës dhe dhunës kundër shqiptarëve të Kosovës.
Të deklarosh sot se ajo politikë duhej të kishte shkuar edhe më tej, do të thotë të mohosh mësimet më elementare të historisë evropiane pas Luftës së Dytë Botërore! Regjimi i Sllobodan Millosheviqit u bë sinonim i nacionalizmit agresiv dhe gjenocidal në Ballkan.
Luftërat në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë lanë pas mijëra viktima, miliona njerëz të zhvendosur dhe plagë që ende nuk janë shëruar plotësisht. Për këto politika, drejtësia ndërkombëtare ngriti aktakuza dhe dënoi një numër të konsiderueshëm drejtuesish politikë, ushtarakë dhe policorë.
Prandaj, deklaratat që glorifikojnë atë periudhë nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike. Ato janë një sfidë ndaj kulturës së paqes dhe pajtimit. Veçanërisht paradoksale është kur një deklaratë e tillë vjen nga një person i lindur në Pejë, një qytet që ka qenë historikisht simbol i bashkëjetesës dhe i diversitetit kulturor.
Historia e Pejës nuk meriton të përdoret për të justifikuar politika që synonin zhdukjen e këtij diversiteti. Një shoqëri demokratike nuk ndërtohet mbi glorifikimin e dhunës. Ajo ndërtohet mbi pranimin e së vërtetës historike, mbi respektimin e viktimave dhe mbi përgjegjësinë morale për të mos përsëritur gabimet e së kaluarës. Shqiptarët e Kosovës nuk kërkojnë hakmarrje historike.
Ata kërkojnë njohjen e së vërtetës, drejtësi për viktimat dhe garanci që politika të tilla nuk do të përsëriten më. Prandaj, çdo deklaratë që shpreh pendesë se spastrimi etnik nuk u realizua plotësisht nuk është vetëm ofenduese për shqiptarët. Ajo është ofenduese edhe për çdo qytetar serb që beson në demokraci, në sundimin e ligjit dhe në vlerat evropiane.
Është koha që Serbia të ndërtojë një kulturë politike të bazuar në reflektim kritik ndaj së kaluarës dhe jo në nostalgji për regjimet autoritare e gjenocidale të së kaluarës së errët serbe në Kosovë, Kroaci dhe Bosnë. Vetëm kështu mund të ndërtohen marrëdhënie të qëndrueshme me fqinjët dhe një e ardhme evropiane. Historia nuk i nderon ata që ëndërrojnë spastrime etnike.
Historia i nderon ata që mbrojnë dinjitetin njerëzor, paqen dhe lirinë! Deklarata të tilla nuk e ndryshojnë të kaluarën, por rrezikojnë të helmojnë të ardhmen. Pikërisht për këtë arsye ato duhet të dënohen qartë, me argumente historike, juridike dhe morale, jo për të nxitur urrejtje të re, por për të mbrojtur të vërtetën historike dhe parimet universale të të drejtave të njeriut.
Në fund, përgjegjësia nuk është vetëm e atyre që bëjnë deklarata të tilla. Përgjegjësi kanë edhe institucionet dhe politika zyrtare në Serbi që duhet të distancohen pa ekuivok nga çdo glorifikim i spastrimit etnik, i krimeve të luftës dhe i politikave që Evropa e pas vitit 1945 është zotuar se nuk do t’i lejojë të përsëriten më.
Kujtesa historike nuk është instrument propagande; ajo është garanci që tragjeditë e së kaluarës të mos bëhen program politik i së ardhmes! Preshevë.
