Federata Shqiptare e Volejbollit ka nisur grumbullimin e ekipit kombëtar U20 të femrave në Rrëshen, në kuadër të përgatitjeve për turneun miqësor që do të zhvillohet në Boario të Itali. Me ftesë të Federatës Italiane të Volejbollit, kombëtarja U20 do të marrë pjesë në këtë aktivitet, ku vajzat do të zhvillojnë seanca stërvitore dhe ndeshje miqësore me ekipet kombëtare italiane.
Kjo do t’u japë atyre mundësinë të përballen me një nga shkollat më të forta të volejbollit europian dhe të fitojnë eksperiencë të vyer për të ardhmen. Ky aktivitet është fryt i marrëdhënieve shumë të mira dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Federatës Shqiptare dhe Federatës Italiane të Volejbollit.
Bashkëpunime të tilla përbëjnë një vlerë të madhe për zhvillimin e volejbollit shqiptar dhe rritjen profesionale të sportisteve tona. Presidenti i FSHV-së, z. Erlind Pëllumbi, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, z. Ervis Dosti, përshëndetën ekipin U20 ne kete faze te pregatitjeve.
“Jemi të bindur se kjo eksperiencë do t’i ndihmojë volejbollistet tona të rriten sportivisht, të krijojnë një kontingjent cilësor për ekipin kombëtar të të rriturave dhe të sjellin përvojën e fituar edhe në ekipet ku aktivizohen gjatë kampionateve kombëtare. Investimi tek brezat e rinj është prioritet i yni” , theksoi Pëllumbi.