Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Serbia mban përgjegjësinë kryesore për situatën aktuale në dialogun me Kosovën, pasi, sipas tij, nuk është e gatshme ta pranojë realitetin e krijuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në një intervistë për Euronews, Rama tha se nuk ekziston më koncepti “Kosovë dhe Metohi”, por vetëm Republika e Kosovës.
“Serbia është më përgjegjësja për situatën që kemi në dialog, sepse nuk është e gatshme të pranojë realitetin, dhe realiteti ka ndryshuar. Nuk ka më diçka që quhet Kosovë dhe Metohi, ekziston Republika e Kosovës”, tha Rama.
I pyetur për faktin se pesë vende të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, kryeministri shqiptar tha se pesë nga 27 shtete anëtare përbëjnë një numër të vogël dhe, sipas tij, tregojnë se shumica dërrmuese e ka njohur realitetin. “Kjo nuk ka të bëjë me dobësinë. Ka të bëjë me pranimin e faktit se realiteti ka ndryshuar.
Ashtu si të gjithë popujt e tjerë të ish-Jugosllavisë gjetën rrugën e tyre dhe u bënë të pavarur, edhe shqiptarët patën të drejtën e vetëvendosjes. Sigurisht, me bashkëpunim të mirë dhe një marrëdhënie harmonike me pakicën. Sot, shqiptarët nuk janë më pakicë në Serbi, por serbët janë pakicë në Kosovë”, tha Rama.
Rama theksoi se Serbia, si vendi më i madh në rajon, ka rolin dhe historinë e saj me të cilat duhet të përballet. “Sipas mendimit tim, dhe e thashë këtë në Beograd, sa më shpejt Serbia të përballet me realitetin se ekziston një realitet i ri, aq më mirë do të jetë”, tha Rama. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
