Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Një studim i ri sugjeron se periudhat e gjata pa lëvizje gjatë ditës mund të ndikojnë negativisht në shëndet dhe të rrisin rrezikun e vdekjes nga kanceri, ka shkruar The Guardian .
Studiuesit përcollën më shumë se 90 mijë persona për rreth 12 vjet dhe zbuluan se njerëzit që qëndronin ulur ose shtrirë zgjuar për më shumë se 30 minuta pa ndërprerje kishin rrezik më të lartë për vdekje nga kanceri. Rreziku rritej sa më shumë zgjaste periudha e moslëvizjes. Megjithatë, lajmi pozitiv është se edhe lëvizjet e lehta mund të ndihmojnë.
Studiuesit zbuluan se ndërprerja e qëndrimit ulur me aktivitete të shkurtra, si një ecje e vogël në zyrë, punët e shtëpisë apo hekurosja, mund të ulë rrezikun. “Qëndrimi ulur për më shumë se 30 minuta rresht lidhet veçanërisht me rrezik më të lartë të vdekjes nga kanceri.
Lajmi i mirë është se ndërprerja e kohës së ulur me diçka kaq të thjeshtë si një ecje e shkurtër mund të jetë mbrojtëse”, ka thënë doktori Frederick Ho nga Universiteti i Glasgout, autori kryesor i studimit. Ai ka shtuar se edhe lëvizjet e lehta nuk duhet të nënvlerësohen, pasi jo të gjithë kanë mundësi të bëjnë aktivitet fizik intensiv çdo ditë.
Sipas studimit, çdo orë shtesë e kaluar në periudha të gjata pa lëvizje lidhej me rreth 10 për qind rritje të rrezikut për vdekje nga kanceri. Nga ana tjetër, zëvendësimi i një ore qëndrimi ulur me aktivitet të lehtë, si larja e enëve apo hekurosja, u lidh me 12 për qind ulje të rrezikut.
Edhe Lifestyle 6 muaj më parë Pesë minuta më shumë ushtrime dhe 30 minuta më pak ulur mund të ndihmojnë në jetëgjatësi Zëvendësimi i 30 minutave pa lëvizje me ecje të moderuar lidhej me 8 për qind ulje të rrezikut. Edhe vetëm 5 minuta aktivitet intensiv në vend të 5 minutave qëndrimi ulur u shoqëruan me ulje të mundshme prej 22 për qind të rrezikut.
Sipas studiuesve, rezultati nuk provon drejtpërdrejt se qëndrimi ulur shkakton kancer, pasi analiza bazohet në të dhëna vëzhguese. Megjithatë, gjetjet mbështesin idenë se ndërprerja e periudhave të gjata pa lëvizje mund të jetë një hap i thjeshtë për një shëndet më të mirë.
