Kombëtarja e Spanjës është finalistja e parë e Kampionatit Botëror, pasi në gjysmëfinalen e zhvilluar në Dallas mposhti Francën me rezultat 2:0. “Spanjollët dominuan plotësisht takimin dhe siguruan fitoren falë golit të Mikel Oyarzabalit nga penalltia dhe realizimit të Pedro Porros.
Franca, në një nga paraqitjet më të dobëta të saj në këtë Botëror, pothuajse nuk krijoi asnjë rast për gol”, shkruan media kroate “Index”. Në finale, Spanja do të përballet me fituesin e gjysmëfinales tjetër mes Argjentinës dhe Anglisë, ndërsa Franca do të luajë për vendin e tretë me humbësin e atij dueli.
Me këtë eliminim u ndërpre seria e Francës prej dy finalesh radhazi në Kupën e Botës. Kështu, Gjermania Perëndimore (1982–1990) dhe Brazili (1994–2002) mbeten të vetmet kombëtare që kanë arritur të luajnë në tri finale radhazi të Kampionatit Botëror. Gazeta prestigjioze spanjolle AS i vlerësoi futbollistët pas ndeshjes dhe veçoi Dani Olmon, autorin e asistimit për golin e dytë.
“Ishte sërish spektakolar. Edhe pse në letër luan si mesfushor ofensiv, ai lëvizte shpesh në qendër të mesfushës. Me kthesat, kontrollin e topit dhe qetësinë në lojë tregoi klas të jashtëzakonshëm. Ai i dha ritëm lojës së Spanjës dhe gjithmonë kërkonte zgjidhje vertikale në fazën sulmuese”, shkroi ‘AS’ për paraqitjen e Olmos.
