De la Fuente: Ende kemi edhe një hap për të bërë

0%

Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, nuk e fshehu emocionin pas kualifikimit në finalen e Kupës së Botës. Tekniku spanjoll e përshkroi momentin si një ndjenjë që i afrohet lumturisë, por theksoi se skuadra e tij nuk duhet të ndalet këtu. “Është e vështirë të përshkruash se si ndihesh, por e di që është diçka që i ngjan lumturisë.

Jam jashtëzakonisht krenar për secilin prej këtyre lojtarëve, por tani duhet të vazhdojmë. Na ka mbetur edhe një hap për të bërë”, tha De la Fuente. Ai vlerësoi rrugëtimin e gjatë të kësaj skuadre, duke theksuar se suksesi nuk ka ardhur rastësisht, por nga një filozofi e ndërtuar prej vitesh. “Ka shumë tension dhe përgjegjësi, por të jesh në finalen e një Kupe Bote është një privilegj.

Vetëm të zgjedhurit arrijnë aty. Kur nisëm këtë rrugëtim pothuajse katër vite më parë, kishim një ide dhe një filozofi, dhe ajo na ka sjellë deri këtu. Jam shumë krenar për këtë”, u shpreh trajneri spanjoll. De la Fuente ishte i bindur se Spanja tregoi nivelin e një kampioneje, duke thënë se kundërshtari i tyre ishte një kombëtare e madhe, por u përball me “skuadrën më të mirë në botë”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Sot luajtëm kundër një prej kombëtareve më të mira në botë, por ata u përballën me më të mirën. Këta lojtarë meritojnë gjithçka. Ata tregojnë çdo ditë përkushtim, sakrificë dhe talent. Ishte fantastike t’i shihje duke luajtur kaq spektakolarisht. Ata e bëjnë të vështirën të duket e lehtë”, shtoi ai. Në fund, trajneri spanjoll falënderoi tifozët për mbështetjen e madhe.

“Mirënjohje totale për të gjithë ata që na dërgojnë mbështetje, dashuri dhe forcë. Është nder të jesh spanjoll dhe të ndjesh se po bashkon një vend të tërë. Nëse vazhdojmë kështu, do të arrijmë shumë gjëra të rëndësishme”, përfundoi De la Fuente.

Burimi: Bota Sot