Shpërndaje në: Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për vepra penale që lidhen me narkotikë dhe korrupsion. Sipas aktakuzës, një nga të pandehurit në cilësinë e zyrtarit korrektues në Qendrën Korrektuese në Dubravë, kishte tentuar të fuste marihuanë me peshë 85.61 gramë për një të burgosur duke e fshehur në trupin e tij.
Ndërkohë, i pandehuri tjetër i cili në kohën e kësaj ngjarje ishte duke vuajtuar dënimin në Qendrën Korrektuese në Dubravë, dyshohet se ka shtyrë të pandehurit e tjetër duke organizuar dhe koordinuar futjen e substancës narkotike brenda institucionit korrektues në këmbim të një shpërbili në të holla.
Ndërkaq, i pandehuri i tretë, dyshohet që ka siguruar dhe dorëzuar substancën narkotike me qëllim që ajo të futej në Qendrën Korrektuese të Dubravës. Gjithashtu dyshohet që ka ofruar edhe shumë prej 1 mijë euro ndaj zyrtarit korrektues për të mundësuar futjen e narkotikëve në institucion.
Me këto veprime, S.D. dhe B.T. akuzohen për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa tjetri akuzohet për shtytje në kryerjen e kësaj vepre penale. Gjithashtu, B.T. akuzohet edhe për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.
Po ashtu, në raport me të pandehurin S.D., Prokurori i Shtetit ka propozuar shqiptimin e dënimit plotësues “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik”, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
