Personi që dyshohet se kishte kërcënuar Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përmes rrjetit social Facebook, ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Kadri Xhemailin , 72 vjeçar, i cili u arrestua të dielën në pikën kufitare Stançiq, në zbatim të një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, Xhemaili kërkohej në kuadër të hetimeve për veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”, pasi dyshohet se më , përmes Facebook-ut, kishte publikuar përmbajtje me karakter kërcënues ndaj Kryeministrit Kurti.
Arrestimi i tij u realizua gjatë kontrollit kufitar, ku nga verifikimet rezultoi se ndaj tij ishte aktiv urdhër-arresti i lëshuar nga gjykata. Me urdhër të Prokurorit të rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Sinjali do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri në këtë rast. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
