Listës së personave që kërkojnë dorëheqjen e kryetarit të LDK, Lumir Abdixhiku, i është shtuar edhe ish-nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu. Ai ka thënë se këto kërkesa janë legjitime dhe të drejta.
Ai përmes një statusi në Facebook ka thënë se kërkesat për dorëheqjen e Abdixhikut, burojnë nga “fakti se ai mori përsipër meritat për çdo sukses të pretenduar, prandaj duhet të marrë përsipër edhe përgjegjësinë për dështimin”.
“Nën drejtimin e tij, LDK-ja mbeti e ngujuar në vendin e tretë, pa arritur të rikthehet si alternativë serioze për pushtet, pavarësisht premtimeve të mëdha dhe kontrollit të plotë mbi partinë. Pas disa cikleve zgjedhore pa rezultatet e premtuara, qëndrimi në krye të partisë pa reflektim politik shihet si mungesë përgjegjësie dhe pengesë për reformimin e LDK-së”, ka shkruar Veliu.
Shqetësuese për Veliun është edhe reagimi i Abdixhikut ndaj kryetarëve të Lipjanit e Pejës. “Në vend se të reflektonte mbi kritikat, ai reagoi duke kërkuar dorëheqjen e dy kryetarëve të degëve që kanë fituar vazhdimisht zgjedhjet në komunat e tyre, ndërsa vetë refuzon të japë llogari për rezultatet e partisë në nivel qendror.
Duke u sjellë si pronar partie e jo si kryetar i zgjedhur, Abdixhiku po dërgon mesazhin se në LDK ndëshkohen ata që kërkojnë llogaridhënie, jo ata që dështojnë”, ka shkruar Veliu Sipas tij, kur një lider kërkon të heshtë kritikët, të ndëshkojë fituesit dhe të mbrojë veten nga përgjegjësia politike, problemi nuk është më vetëm rezultati zgjedhor, por te mënyra se si ai e kupton demokracinë, debatin e brendshëm dhe vetë funksionimin e partisë.
Mw , dy nga degët kryesore të LDK-së, në Komunat që udhëheq nga po kjo parti, të martën, më i kërkuar dorëheqjen Lumir Abdixhikut, duke e lidhur me rezultatin zgjedhor të 7 qershorit. Sipas reagimit të tyre, deri te kjo kërkesë ka ardhur pas analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit 2026.
Kryesia e LDK-së në Pejë tha mes tjerash se lidershipi duhet të marrë përgjegjësinë politike për rezultatin zgjedhor. Ndërsa, dega në Lipjan, megjithëse thanë se shënuan rritje të votave krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, e konsiderojnë rezultatin larg pritjeve dhe kërkoi reflektim të thellë në nivel qendror.
Me fjalinë “Si nuk u ngopët kurrë”, ka nisur kundërpërgjigjen ndaj dy bashkëpartiakëve të tij që udhëheqin me degët e kësaj partie në Pejë e Lipjan, të cilët i kërkuan dorëheqjen. Pas kwsaj ka pasur edhe reagime tw ndryshme nga brenda partisw.
Pas kërkesave të degëve të LDK-së në Lipjan, Pejë dhe Degës së Dytë në Prishtinë për dorëheqjen e Lumir Abdixhikut, si pasojë e pakënaqësive me rezultatin zgjedhor, ka reaguar sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Ilir Ferati.
Sipas tij, kryetarët e lartcekur, në vend të një analize të ndershme mbi përgjegjësitë që i takojnë secilit nivel, po përpiqen ta zhvendosin të gjithë barrën e rezultatit vetëm te niveli qendror. Ferati vlerëson se kjo çdo tentim për të ndërtuar narrativa vetë-justifikuese është i papranueshëm dhe i dëmshëm për partinë.
“Kush kërkon llogaridhënie nga të tjerët, duhet së pari të japë llogari për rezultatet në terrenin që ka menaxhuar vetë. Është e papranueshme që dikush të vetëshpallet i suksesshëm, ndërsa dështimet t’ua faturojë vetëm të tjerëve”- ka shkruar ai.
Nënkryetari i LDK-së dhe deputeti i zgjedhur Anton Quni e po ashtu edhe deputeti tjetër i zgjedhur Fadil Hadërgjonaj, të dy ushtarakë të mëhershëm, kanë reaguar në lidhje me kërkesat për dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Quni ka thënë se forca e partisë nuk buron nga mungesa e debateve apo mendimeve ndryshe por nga aftësia për t’i tejkaluar ato me maturi dhe respekt reciprok. Ai konsideron se LDK, ka nevojë për unitet të plotë më shumë se kurrë. “Kemi nevojë të bëhemi shembulli më i mirë se si çdo pakënaqësi, çdo dallim dhe çdo sfidë e zgjidhim brenda familjes sonë – brenda shtëpisë së madhe të LDK-së.
Vendi i bashkimit është tryeza jonë e përbashkët e bisedimit dhe e mirëkuptimit, ku interesat e shtëpisë sonë qëndrojnë gjithmonë mbi çdo interes tjetër.”- ka ai. Hadërgjonaj në anën tjetër, ka thënë se LDK-ja ka nevojë, jo për fajësime, por për unitet, urtësi, maturi e mençuri.
Derisa, sipas tij, Kosova “po lëngon nga kriza politike” dhe mungesa e prespektivës, LDK-ja nuk e ka luksin që të merret me përçarje të brendshme apo me beteja personale. Sipas tij, partia ka obligim të jetë e bashkuar, e përgjegjshme dhe e gatshme të ofrojë zgjidhje.
“Kosova po përballet prej vitesh me këtë “mortajë” politike që ka dobësuar institucionet, ka zbehur besimin qytetar dhe ka ngadalësuar zhvillimin e vendit. Në rrethana të tilla, çdo energji duhet të orientohet drejt forcimit të LDK-së dhe rolit të saj në shërbim të shtetit, e jo drejt thellimit të dallimeve ndërmjet nesh.”- ka Hadërgjonaj.
