Pse ende, edhe pas 36 vjetësh pavarësi, ekzistojnë emra rrugësh nga koha e ish-Jugosllavisë? Kjo ishte pyetja e Halil Snopçes nga ASH në seancën e pyetjeve të deputetëve, i cili tha se në shumë komuna ende vazhdojnë të ekzistojnë dhe të glorifikohen emra nga sistemi jugosllav.
Ai e pyeti kryeministrin nëse planifikohen masa për riemërtimin e këtyre rrugëve dhe disa objekteve me rëndësi shoqërore. “Në qytetin tim, rruga kryesore që lidh qendrën e qytetit me bulevardin kryesor ende quhet APJ (Armata Popullore Jugosllave). Kemi shumë raste të tilla.
Prandaj pyetja ime është, zoti kryeministër, a ka Qeveria strategji ose plan konkret për de-jugosllavizimin, do ta përsëris, de-jugosllavizimin e hapësirës publike, përkatësisht për rishikimin e emërtimit të rrugëve dhe institucioneve publike që ende mbajnë emra të simboleve të trashëguara nga sistemi i mëparshëm jugosllav?”, tha Snopçe.
Kryeministri Mickoski u përgjigj se ai angazhohet për emërtimin e hapësirave publike në përputhje me realitetin e sotëm. “Nuk jam jugonostalgjik dhe nuk kam ndërmend të jem jugonostalgjik, por si Qeveri jemi të fokusuar në shumë probleme të tjera më të rëndësishme”, tha Mickoski, duke shtuar se për këtë çështje do të gjendet zgjidhje.
“Kemi biseduar me partnerët tanë të koalicionit që ato rrugë të cilat janë pa numër, respektivisht nuk kanë emër, të marrin emra njerëzish, personalitetesh ose ngjarjesh nga e kaluara që pasqyrojnë luftën shumëshekullore të popullit maqedonas dhe të qytetarëve të Maqedonisë për një Maqedoni të pavarur, dhe në të njëjtën kohë do ta paraqesin edhe karakterin multietnik në komuna të caktuara ku ky karakter multietnik është realitet”, deklaroi Mickoski.
