Interi po kalon ditë të nxehta në merkato. Pasi pa t’i rrëshqiste nga duart talenti italian Marko Palestra, zikaltërit rrezikojnë të përballen me një tjetër goditje të rëndë, këtë herë për mbrojtësin Oumar Solet. Klubi milanez kishte punuar prej javësh për të siguruar shërbimet e Palestrës, i konsideruar si një nga talentet më premtues të futbollit italian.
Gjithçka dukej në rrugën e duhur, por situata ndryshoi rrënjësisht pas ndërhyrjes së fuqishme të Çelsit. Klubi londinez paraqiti një ofertë shumë më të lartë për Atalantën, duke vënë në tavolinë 55 milionë euro plus bonuse, që mund ta çojnë vlerën totale në 60 milionë euro, si edhe 10% nga një shitje e ardhshme.
Për vetë lojtarin është ofruar një kontratë pesëvjeçare me pagë rreth 5 milionë euro në sezon. Atalanta ka dhënë dritën jeshile për vazhdimin e negociatave me Çelsin dhe në orët në vijim pritet takimi mes drejtuesve anglezë dhe agjentit të futbollistit për të arritur marrëveshjen përfundimtare.
Ndërkohë, takimi i fundit mes Interit dhe klubit bergamask nuk solli asnjë zhvillim vendimtar, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë misionin e zikaltërve. Megjithatë, problemet e Interit nuk ndalen te Palestra. Në radarët e klubit milanez prej kohësh ndodhet edhe Oumar Solet, mbrojtësi i Udinezes, për të cilin ekziston tashmë një marrëveshje paraprake me lojtarin.
Francezi ka shprehur hapur dëshirën për t’u transferuar në Milano, por pengesa mbetet akordi mes dy klubeve. Udineze kërkon rreth 25-30 milionë euro për kartonin e mbrojtësit, ndërsa oferta e Interit nuk shkon më shumë se 20 milionë euro. Pikërisht kjo diferencë ka krijuar terrenin e duhur për futjen në garë të Atletiko Madridit.
Sipas raportimeve nga Italia dhe Spanja, klubi madrilen po ndjek me vëmendje zhvillimet dhe brenda pak ditësh pritet të paraqesë ofertën e parë zyrtare për Udinezen. Një lëvizje që mund të komplikojë më tej planet e Interit, i cili pas humbjes së garës për Palestrën nuk dëshiron të pësojë një tjetër zhgënjim në merkaton e verës.
Tashmë topi është në fushën e drejtuesve zikaltër, të cilët duhet të përshpejtojnë negociatat nëse nuk duan të shohin edhe Soletin t’u rrëmbehet nga konkurrenca.
