Pas Merdares, Dogana e synon vendosjen e skanerëve X-Ray në të gjitha pikat kufitare

0%

Dogana e Kosovës pritet që shumë shpejt të zgjerojë përdorimin e skanerëve mobilë X-Ray edhe në pikat e tjera kufitare të vendit, përfshirë ato me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, pas vendosjes në funksion të skanerit të parë në pikën kufitare në Merdare.

Sipas zyrtarëve të Doganës së Kosovës, pas instalimit dhe funksionalizimit të skanerit në Merdar, synim mbetet mbulimi gradual i të gjitha pikave kryesore kufitare me pajisje moderne të kontrollit të mallrave dhe automjeteve.

Skaneri mobil X-Ray në Merdar ishte siguruar si donacion nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes programit EXBS dhe është vlerësuar si një ndër pajisjet më moderne për kontrollin e ngarkesave dhe identifikimin e rreziqeve në kufi. Pas instalimit, Dogana e Kosovës ka realizuar trajnimin e stafit dhe testimin e pajisjes para vendosjes së saj në operim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kjo teknologji mundëson kontrollimin e kamionëve dhe ngarkesave pa nevojën e hapjes fizike të tyre, duke reduktuar kohën e procedurave doganore dhe duke rritur kapacitetet për zbulimin e kontrabandës, armëve, drogës dhe mallrave të padeklaruara. Vendosja e skanerëve në kufijtë e Kosovës ka qenë temë diskutimi prej disa vitesh.

Në vitin 2024, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se hapja e plotë e pikave kufitare për qarkullimin e mallrave nga Serbia do të kushtëzohej me sigurimin e skanerëve modernë për kontrollin e ngarkesave. Në atë kohë, Dogana e Kosovës kishte nisur procedurat për blerjen e skanerëve mobilë, ndërsa partnerë ndërkombëtarë kishin ofruar mundësinë e donacioneve për këto pajisje.

Po ashtu, në tetor të vitit 2024, autoritetet kishin bërë të ditur se pikat e tjera kufitare do të hapeshin dhe do të pajiseshin me skanerë sapo të sigurohej infrastruktura e nevojshme teknologjike.

Sipas Doganës së Kosovës, me zgjerimin e rrjetit të skanerëve në pikat kufitare me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe vendkalimet e tjera ndërkombëtare, pritet të rritet siguria kufitare, të përshpejtohen procedurat doganore dhe të lehtësohet qarkullimi i mallrave në hyrje dhe dalje të vendit.

Burimi: Bota Sot