Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan, pas mbledhjes së mbajtur së bashku me kryetarët e nëndegëve, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, duke e cilësuar këtë si standard të përgjegjësisë politike dhe akt reflektimi pas mesazhit të dhënë nga qytetarët përmes votës.
Të njejten kërkesë e ka pasur edhe dega e LDK-së në Pejë njoftoi se pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, “me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë”.
E në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi. Enver Bytyçi Profesori shprehet se Lidhja Demokratike e Kosovës hyri në zgjedhjet e 7 qershorit me pritshmëri të larta, sidomos pas përfshirjes së Vjosa Osmanit, por në realitet nuk arriti rezultate domethënëse, duke mbetur pas PDK-së dhe duke shënuar vetëm një rritje të vogël që nuk mund të konsiderohet sukses politik.
“ Zgjedhjet e 7 qershorit të shkuar ishin test për të gjitha partitë politike në Kosovë, përfshirë Vetëvendosjen, PDK-në dhe AAK-në. Por Lidhja Demokratike krijoi ndoshta pritshmëri të skajshme, ndërkohë që pati shumë pak rritje, duke qëndruar për të disatën herë në vendin e tretë. Gara e Lidhjes Demokratike nuk ishte që të arrinte vendin e parë në skenën politike të Kosovës.
Ishte për të kapur vendin e dytë dhe ky rezultat do ta çertifikonte atë si parti të sukseshme. Por këto pritshmëri nuk u realizuan. Është e natyrshme që anëtarësia e Lidhjes Demokratike të përjetojë një zhgënjim tjetër pas rezultateve të dobëta të 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit 2025.
Më 7 qershor pritej shumë më tepër, sepse u mendua se kalimi i ish-presidentes Osmani në radhët e Lidhjes Demokratike do të sillte një kapërcim spektakolar, që së paku LDK të kapërcente Partinë Demokratike të Kosovës. Kjo nuk ndodhi. Rritja ishte e papërfillshme, me vetëm 3 deputetë. Nuk dihet nëse këta tre deputetë janë produkt i imazhit të zonjës Osmani apo i lidershipit të Abdixhikut.
Megjithatë kushdo mund ta interpretojë në mënyrën e vet. Edhe sikur të jetë rezultat i figurës së ish-presidentes, sërishmi nuk thotë ndonjë gjë interesant e”, u shpreh ai.
Abdixhiku duhet të dorëhiqet Duke vazhduar tutje Bytyçi shprehet se LDK-ja në fushatën e fundit kishte një lidership të dyfishtë me Vjosa Osmanin dhe Lumir Abdixhikun, të cilët u paraqitën të bashkuar dhe me mesazhe të njëjta, por nuk arritën të fitojnë besimin e elektoratit dhe të sjellin rezultat të dukshëm.
Ai thekson se pas këtij dështimi janë shtuar kërkesat për analizë dhe përgjegjësi brenda partisë, duke vënë në qendër kryetarin Abdixhiku për dorëheqje, ndërsa nënkupton se edhe Osmani mban pjesë të përgjegjësisë për rezultatin e dobët zgjedhor. “ Lidhja Demokratike në fushatën zgjedhore të kaluar pati një dyshe në lidership, përveç kryetarit edhe ish-presidenten.
Vjosa dhe Lumiri u panë kudo bashkë, dorë për dorë. Folën gjithmonë njëri pas tjetrit në çdo aktivitet electoral. Dhanë të njëjtat mesazhe, u betuan për t’i shërbyer Kosovës dhe qytetarëve të saj. Por premtimet dhe angazhimet e tyre nuk ngjitën, nuk krijuan besueshmëri te elektorati. Për këtë arsye ata nuk arritën që të realizojnë një fitore të dukshme dhe domethënëse.
Për këtë arsye dega e LDK-së në Pejë dhe ajo në Lipjan kanë kërkuar analizë dhe përgjegjësi, që besoj se përkthehet edhe dorëheqje e lidershipit. Po kush duhet të dorëhiqet? Natyrisht që kryetari Lumir Abdixhiku. Ai ndodhet në pozitën më të vështirë, pasiqë po i kërkohet dorëheqja së paku pas dy fushatave elektorale.
Pas dështimit në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2026 ai i rrëshqiti përgjegjësisë, duke u rivotuar për kryetar të LDK-së, pra duke marrë votëbesimin e Kuvendit të saj. Nuk dha dorëheqje të parevokueshme. Siç bëjnë thuajse të gjithë kryetarët e partive politike shqiptare e të tjera në rajonin tonë. Tani është e dyta herë që ndodhet para të njëjtës situatë.
A do ta tolerojnë anëtarët e LDK-së edhe në këtë rast? Nuk besoj. Kur miqtë e tij në Pejë kanë mendim që Abdixhiku të vihet para përgjegjësisë, do të thotë se pakënaqësia ndaj tij është e dukshme. Ndërsa Vjosa nuk përmendet. Por duket qartë se edhe ndaj saj ka kritika dhe rezerva të mëdha. Edhe ajo është përgjegjëse po aq sa Lumiri për dështimin elektoral të 7 qershori t”, shpjegon ai.
Abdixhiku do të përballet me dy përgjegjësi, për dështimin dhe për mënyrën authoritative me të cilën tërhoqi zonjën Osmani në krah të tij Tutje, profesori shprehet se Abdixhiku mban përgjegjësi për dështimin zgjedhor dhe për aleancën e kontestuar me Vjosa Osmanin, pa pasur alibi të qëndrueshme për rezultatin e dobët.
“ Ajo që e bën interesante kësaj radhe përgjegjësinë për këtë dështim lidhet me faktin se kryetari i LDK-së u vu në sprovë me aleancën e tij me ish-presidenten Osmani, e cila ishte e konestuar nga shumë anëtarë të LDK-së për shkak se ajo bëhej përgjegjëse për rezultatet e kaluara të dobëta elektorale.
Pra kësaj radhe kryetari Abdixhiku do të përballet me dy përgjegjësi, për dështimin dhe për mënyrën authoritative me të cilën tërhoqi zonjën Osmani në krah të tij. Kjo e bën më interesante kësaj radhe kritikën ndaj lidershipit. Do të shohim se si do të zhvillohen diskutimet, por nuk shoh se mund të përdoret ndonjë alibi e qëndrueshme për këtë rezultat të dobët zgjedhor” , thotë profesori.
PDK ka frikë se LDK do të bëjë koalicion me Vetëvendosjen Bytyçi në fund përfundon se situata politike është kaotike dhe po shfrytëzohet nga aktorë të caktuar, përfshirë Përparim Ramën dhe PDK-në, me qëllim pengimin e formimit të institucioneve dhe zgjedhjes së presidentit, duke sugjeruar se zgjidhja mund të vijë përmes një kompromisi politik të imponuar nga Albin Kurti për të shmangur zgjedhjet e reja.
“ Situata është kaotike dhe këtë situatë kaotike po përpiqen ta shfrytëzojnë elementët si Përparim Rama, me qëllim që të bllokojnë ndërtimin e institucioneve të reja të shtetit, përkatësisht zgjedhjen e presidentit të Republikës. Është dora e Partisë Demokratike të Kosovës në këtë rrëmujë kaotike.
PDK ka frikë se LDK do të bëjë koalicion me Vetëvendosjen dhe për pasojë dëshiron që Abdixhiku të largohet e në vend të tij të vijë kumbari i koalicionit të qeverisjes në Prishtinë, Përparim Rama. Të shohim si do të shkojë. Por të gjitha gjasat janë të shkohet drejt bojkotit.
Në këtë rast kam një këshillë për Albin Kurtin: – Përzgjidh një kandidat nga opozita, pa lejen e kryetarëve, me kushtin që ky kandidat të garantojë edhe 18 vota tjera opozitare për zgjedhje e presidentit të vendit. Kushdo që të jetë ai. Ramush Haradinaj ose Arsim Bajrami, kjo nuk ka rëndësi.
Vendi nuk duhet të shkojë sërishmi në zgjedhje të reja” , përfundoi profesori Bytyçi për “Bota sot”.
