Manchester United mund të bëjë një lëvizje surprizë për portierin e Skocisë, Angus Gunn, pas paraqitjeve të tij në Kupën e Botës. Skocia pësoi një goditje të rëndë në garën për kualifikim në fazën me eliminim direkt, pasi u mposht 3-0 nga Brazili në stadiumin e Miamit.
Dy gola nga ylli i Real Madridit, Vinicius Junior, dhe një tjetër nga sulmuesi i Manchester United, Matheus Cunha, ia shkaktuan skocezëve një humbje të dhimbshme. Edhe pse disa lojtarë të Skocisë nuk kanë arritur të përmbushin pritshmëritë në këtë turne, përfshirë ish-mesfushorin e United, Scott McTominay, një emër ka tërhequr vëmendjen e klubit anglez.
Sipas Samuel Luckhurst të The Sun, Angus Gunn ka dalë si një objektiv i mundshëm për portën e Manchester United. 30-vjeçari u largua nga Nottingham Forest pas përfundimit të sezonit 2025/26, por mbeti zgjedhja e parë e Skocisë në të tri ndeshjet e fazës së grupeve. Gunn mbajti portën të paprekur ndaj Haitit, më pas pësoi një gol kundër Marokut dhe tre ndaj Brazilit.
Ai më parë ishte pjesë e akademisë së Manchester Cityt, në kohën kur Jason Wilcox, tani drejtor futbolli te Manchester United, punonte si trajner dhe më pas drejtues në klub. Portieri ka luajtur gjithashtu për Norwich City, Southampton dhe Stoke City, para se t’i bashkohej Nottingham Forestit, ku regjistroi vetëm një paraqitje.
United nuk e sheh Gunn si titullar të menjëhershëm, por si një portier me përvojë që mund të shtojë konkurrencën në skuadër, sidomos nëse klubi arrin të shesë Andre Onanan dhe Altay Bayindirin gjatë verës. Për këtë arsye, “Djajtë e Kuq” janë lidhur edhe me Karl Darlow, kontrata e të cilit me Leeds United skadon javën e ardhshme.
Megjithatë, Darlow është ende në bisedime për rinovim me Leedsin, ndaj mbetet e paqartë nëse do të jetë i lirë në treg. Andre Onana pritet të rikthehet në stërvitjet parasezonale të United pas huazimit te Trabzonspor në sezonin 2025/26, por plani i klubit mbetet shitja e tij gjatë verës.
E njëjta situatë vlen edhe për Bayindirin, i cili pritet të rikthehet në Turqi, me Besiktasin që ka shfaqur interesim. Portieri turk luajti gjashtë ndeshje në Premier League sezonin e kaluar, por nuk bindi, duke pësuar 11 gola.
Pas eliminimit të Turqisë nga Botërori, Bayindir mund të jetë në dispozicion për pjesën më të madhe të përgatitjeve parasezonale të Manchester United, pas pushimit të detyrueshëm trejavor.
