Kosova dhe Austria thellojnë bashkëpunimin dypalësh dhe mbajnë konsultime politike në Vjenë

0%

Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se Republika e Kosovës dhe Republika e Austrisë kanë nënshkruar një marrëveshje të re dypalëshe, duke shënuar një hap të mëtejmë në avancimin e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit institucional ndërmjet dy vendeve.

Në njoftimin për media të MPJD-së bëhet e ditur se marrëveshja u nënshkrua nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Nikolaus Marschik.

“Marrëveshja rregullon mundësinë e ushtrimit të veprimtarisë fitimprurëse nga anëtarët e familjeve të personelit diplomatik dhe konsullor gjatë periudhës së shërbimit në shtetin pritës, duke krijuar kushte më të favorshme për familjet e diplomatëve të të dyja vendeve”, thuhet në njoftim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Pas ceremonisë së nënshkrimit, Zëvendësministri Ahmeti zhvilloi takim me Sekretarin e Përgjithshëm Marschik, me të cilin diskutoi për marrëdhëniet dypalëshe, mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit institucional dhe ekonomik, si dhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Në kuadër të vizitës u mbajtën edhe konsultimet politike ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë. Delegacioni i Republikës së Kosovës u kryesua nga Zëvendësministri Ahmeti, ndërsa delegacioni austriak nga Ambasadorja Elisabeth Kornfeind.

Gjatë konsultimeve u diskutua për avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, marrëveshjet në proces, organizimin e forumit të ardhshëm ekonomik mes Kosovës dhe Austrisë, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, si dhe procesin e integrimit evropian të Republikës së Kosovës.

Sipas njoftimit, palët shprehën gatishmërinë për vazhdimin e konsultimeve të rregullta politike dhe për orientimin e bashkëpunimit drejt rezultateve konkrete dhe nismave të reja dypalëshe.

Burimi: Bota Sot