Shpërndaje në: Çmimi i naftës në Kosovë ka rënë për një cent krahasuar me të mërkurën. Sipas çmimeve maksimale të lejuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, çmimi i naftës për litër të enjten është 1.36 euro, i benzinës 1.35 euro për litër dhe i gazit 0.67 euro për litër.
Ndërkaq krahasuar me një ditë më herët, çmimi i benzinës të enjten është shtrenjtuar për një cent. Të mërkurën çmimi i benzinës për litër ishte 1.34 euro. Çmimi i gazit mbetet i njëjtë. Së fundmi çmimi i derivateve në Kosovë shënoi rënie të mëtejshme, duke e çuar naftën në nivelin më të ulët që nga fillimi i muajit mars.
Çmimet e naftës në Kosovë ishin rritur ndjeshëm pas përshkallëzimit të tensioneve dhe konfliktit mes Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit në fund të shkurtit. Armëpushimi i arritur mes Iranit dhe SHBA-së, i cili u nënshkrua më 18 qershor, ka bërë që në tregjet ndërkombëtare të ulet çmimi i naftës dhe kjo po reflektohet edhe në Kosovë.
