Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka vijuar me qëndrimin që sipas tij, lexuesi i 5 kërkesave në protestë, Dritan Goxhaj, punon për Iranin. Sipas Ballës, prokuroria duhet ta hetojë këtë çështje. “Nuk ka asnjë dyshim që Dritan Goxhaj punon për regjimin iranian. Unë nuk arrestoj askënd. Arrestimet në demokraci i bën prokuroria.
Një person që e quan presidentin amerikan terrorist, që i quan SHBA-të terroriste, mbron Iranin dhe sulmon SHBA-të, është një person që ka lidhje me agjenturën iraniane”, tha Balla. I pyetur nga gazetarët për një nga kërkesat e protestuesve lidhur me kufizimin e mandateve për Kryeministrin, Balla tha se mandatet i kufizon populli sipas tij me votë.
“Libri themelor i Republikës së Shqipërisë, i cili është Kushtetuta, është i qartë në këtë pikë. Ne jemi një vend që mund të quhemi Republikë e Re, në kuptimin e viteve që kemi me Kushtetutën. Ju e dini gjithmonë që unë jam një partizan i faktit se kemi marrë modelin e një republike të pastër parlamentare. Modeli është ai gjerman. As në Gjermani që njoh unë, nuk ka kufizim mandatesh.
Sepse në demokraci dhe në republika parlamentare nuk ka kufizim mandatesh. Kufizimin e mandateve e bën vetëm vota e popullit. Kështu që mos u lodhni kot, Kushtetutën e kemi të re.”-tha Balla. /Euronews
