Berlin, – Në një kohë kur sfidat gjeopolitike dhe të sigurisë po marrin rëndësi gjithnjë e më të madhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut u përfaqësua në një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare në Gjermani nga Ambasadori i saj në Berlin, Prof. Dr. Ylber Sela.
Ndërsa shumë vende të rajonit morën pjesë në nivel të zëvendësministrave të Punëve të Jashtme, Maqedonia e Veriut besoi përfaqësimin e saj diplomatik te ambasadori Sela, i cili kontribuoi në diskutimet strategjike mbi të ardhmen e rajonit.
Paneli me temën “Ballkani Perëndimor në një udhëkryq: Gjeopolitika dhe Siguria”, i organizuar nga Instituti prestigjioz Aspen në Berlin, mblodhi diplomatë, ekspertë të sigurisë, përfaqësues politikë dhe vendimmarrës nga vende të ndryshme evropiane.
Diskutimet u përqendruan në zhvillimet e fundit gjeopolitike, sigurinë rajonale, integrimin evropian dhe sfidat që përballen shtetet e Ballkanit Perëndimor në një realitet ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks. Në këtë forum me rëndësi të veçantë, Ambasadori Prof. Dr.
Ylber Sela paraqiti qëndrimet e Maqedonisë së Veriut lidhur me proceset integruese evropiane, bashkëpunimin rajonal dhe nevojën për ruajtjen e stabilitetit politik e të sigurisë në rajon. Pjesëmarrja e tij u vlerësua si një dëshmi e angazhimit aktiv të diplomacisë maqedonase në debatet ndërkombëtare që përcaktojnë të ardhmen e Ballkanit Perëndimor. Gjatë viteve të fundit, Prof. Dr.
Ylber Sela është shquar për një qasje dinamike dhe moderne në diplomaci, duke forcuar vazhdimisht marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Federale të Gjermanisë.
Përmes kontakteve të rregullta me institucionet gjermane, organizatat ndërkombëtare, qarqet akademike dhe ekonomike, ai ka kontribuar në thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, kulturor dhe arsimor mes dy vendeve. Veprimtaria e tij diplomatike nuk kufizohet vetëm në raportet me Gjermaninë.
Duke qenë se Berlini është një nga qendrat më të rëndësishme diplomatike në Evropë, Ambasadori Sela ka zhvilluar kontakte dhe bashkëpunime edhe me përfaqësues të shumë shteteve të tjera të akredituara në Gjermani.
Kjo ka krijuar mundësi të reja për promovimin e interesave shtetërore të Maqedonisë së Veriut, për zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për rritjen e profilit diplomatik të vendit në arenën ndërkombëtare.
Njohës të diplomacisë vlerësojnë se angazhimi i Ambasadorit Sela në forume të tilla prestigjioze ndihmon në forcimin e pozitës së Maqedonisë së Veriut si një partner i besueshëm euroatlantik dhe si një faktor konstruktiv në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Pjesëmarrja e tij në diskutimet strategjike të organizuara nga Instituti Aspen dëshmon për rolin aktiv që diplomacia maqedonase synon të luajë në proceset që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë dhe zhvillimin e rajonit. Në një periudhë kur dialogu, bashkëpunimi dhe partneritetet ndërkombëtare janë më të rëndësishme se kurrë, aktivitetet e Ambasadorit Prof. Dr.
Ylber Sela përfaqësojnë një kontribut të çmuar në avancimin e interesave shtetërore të Maqedonisë së Veriut dhe në ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit me Gjermaninë, Bashkimin Evropian dhe komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi.Përmes angazhimit të tij të vazhdueshëm diplomatik, Shkëlqesia e Tij, Prof. Dr.
Ylber Sela, vazhdon të promovojë vlerat e dialogut, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndërkombëtar, duke e pozicionuar Maqedoninë e Veriut si një partner serioz dhe të respektuar në skenën evropiane dhe globale.
