AIP shënon 5-vjetorin: Vlerësohen arritjet në transparencë dhe mbrojtje të privatësisë

0%

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka shënuar sot, më , pesë vjetorin e themelimit, njëkohësisht edhe 15-vjetorin e themelimit të autoritetit për mbrojtjen e të dhënave personale në Republikën e Kosovës.

Komisionerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dërmaku, gjatë shënimit të 5-vjetorit tha se mbrojtja e të drejtave të qytetarëve mbetet misioni kryesor i institucionit. Sogojeva Dërmaku tha se puna e institucionit është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët, institucionet, shoqërinë civile dhe mediat.

Sipas saj, gjatë kësaj periudhe janë trajnuar mijëra pjesëmarrës dhe janë certifikuar qindra profesionistë nga institucionet qendrore dhe lokale.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Ngritja e kapaciteteve ka qenë një nga objektivat kryesore gjatë këtyre pesë viteve dhe është realizuar me sukses përmes një numri të madh aktivitetesh trajnuese dhe profesionale.Kjo është reflektuar në mijëra pjesëmarrës të trajnuar dhe qindra profesionistë të certifikuar ndërkombëtarisht.

Një fokus i veçantë i është kushtuar sektorit të drejtësisë, ku në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë, të cilën e falënderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer, janë trajnuar gjyqtarë, prokurorë, zyrtarë dhe inspektorë policorë, zyrtarë të Shërbimit Korrektues të Kosovës, bashkëpunëtorë profesionalë si dhe zyrtarë të tjerë të gjykatave dhe prokurorive në mbarë Kosovën”- u shpreh Sogojeva Dërmaku.

Duke prezantuar rezultatet e punës së Agjencisë, ajo bëri të ditur se janë trajtuar mbi 3,000 ankesa në fushën e qasjes në dokumente publike. “Garantimi i zbatimit të Ligjit për Qasje në Dokumente Publike u sigurua përmes trajtimit profesional, të paanshëm dhe objektiv të më shumë se 3,000 ankesave të paraqitura nga qytetarët, gazetarët dhe organizatat e shoqërisë civile.

Si rezultat, në rreth 80% të rasteve u realizua e drejta e qasjes në informacion. Publikimi proaktiv i dokumenteve publike nga institucionet u shndërrua në një kërkesë të vazhdueshme dhe të domosdoshme, me qëllim të rritjes së transparencës, llogaridhënies dhe besimit të qytetarëve në institucionet publike” – tha ajo.

Ajo tha se në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale janë realizuar mbi 1,000 inspektime dhe vendime në sektorin publik dhe privat. “Në cilësinë e autoritetit përgjegjës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit përkatës, Agjencia realizoi mbi 1,000 inspektime në sektorin publik dhe privat.

Këto përfshinë ministri, komuna, institucione të zbatimit të ligjit, institucione të pavarura, sektorin bankar, kompanitë e sigurimeve, spitalet, laboratorët, hotelet, sektorin e telekomunikimeve, si dhe biznese të mëdha dhe të vogla në të gjithë vendin” – u shpreh mes tjerash ajo. “Janë shqiptuar 63 gjoba për moszbatuesit e ligjit” – theksoi ajo.

Duke folur për bashkëpunimin ndërkombëtar, ajo tha se AIP-ja sot është anëtare vëzhguese e Bordit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave (EDPB), ndërsa në vitin 2027 Kosova do të jetë nikoqire e Konferencës Pranverore të Autoriteteve të Mbrojtjes së të Dhënave.

Në këtë ceremoni foli edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, e cila tha se e drejta për informim dhe e drejta për privatësi janë shtylla të rëndësishme të një shteti demokratik. “E drejta për privatësi e mbron qytetarin nga përdorimi i pakujdesshëm apo i panevojshëm i të dhënave të tij.

Në thelb të dyja kërkojnë pushtet më të përgjegjshëm dhe qytetarë shumë më të mbrojtur. Qytetari ka të drejtë të dijë si merren vendimet, si shpenzohet paraja publike, si arsyetohet veprimi institucional dhe si ushtrohet pushteti në emër të tij.

Dhe ne që kemi udhëhequr apo udhëheqim institucione në Republikën e Kosovës, e dimë shumë mirë rolin që Agjencia për Informim dhe Privatësi ka, sepse sa herë ndeshemi me kërkesa për qasjen dokumente publike, gjithmonë është aty një zyrtar që e ka përgjegjësi këtë dhe thotë duhet të ofrojmë qasje sepse agjencia na dënon” – tha Haxhiu.

Ajo shtoi se çdo institucion që kërkon të dhëna personale nga qytetarët duhet të ketë të qartë arsyen dhe bazën ligjore për përdorimin e tyre. “Këto arritje tregojnë se një institucion i ri, kur ka mandat të qartë dhe punon me seriozitet, mund të bëhet një zë i besueshëm, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë tij.

Për Kosovën, kjo ka një rëndësi të veçantë, sepse rruga jonë evropiane matet edhe me aftësinë e institucioneve për t’i përvetësuar standardet evropiane dhe për t’i zbatuar ato në jetën e përditshme të qytetarëve.

Le të jetë ky përvjetor një shtysë për më shumë transparencë në institucionet publike, më shumë kujdes ndaj të dhënave personale dhe më shumë përgjegjësi në çdo hap të digjitalizimit të shtetit. Një qytetar i informuar dhe një qytetar i mbrojtur janë themeli i një republike demokratike”- u shpreh u.d. presidentja.

Zëvendëskryesuesi i Bordit Evropian të Mbrojtjes së të Dhënave, Zdravko Vukiq, vlerësoi punën e Agjencisë dhe përkushtimin e Kosovës ndaj standardeve të Bashkimit Evropian. “Statusi i vëzhguesit që ka Kosova brenda Bordit është një njohje e rëndësishme e përpjekjeve të saj dhe ofron një platformë të vlefshme për dialog dhe shkëmbim ekspertize” – tha Vukiq.

Vukiq njëherësh, drejtor i Agjencisë Kroate për Mbrojtjen e të Dhënave Personale shtoi se mbështet aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. “Dëshiroj të shpreh mbështetjen time të sinqertë për Kosovën dhe aspiratën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Një pjesë thelbësore e këtij procesi është zbatimi i reformave dhe përafrimi me standardet dhe vlerat evropiane.

Fusha e mbrojtjes së të dhënave luan një rol të rëndësishëm në këtë proces, pasi pasqyron një përkushtim të gjerë ndaj të drejtave themelore të njeriut dhe forcimit të institucioneve demokratike. Jam i bindur se kjo agjenci do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në mbështetjen e këtyre përpjekjeve dhe në afrimin edhe më të madh të Kosovës me familjen evropiane” – tha Vukiq.

Presidenti i Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC), Besnik Dervishi, tha se Kosova është shndërruar në një partner të vlerësuar në rrjetet ndërkombëtare që promovojnë të drejtën për informim. “Me të njëjtin emocion kam ardhur në Prishtinë edhe 27 vjet më parë si pjesë e delegacionit të parë zyrtar në vitin 1999.

Vetëm disa ditë pas përfundimit të luftës kam fiksuar në memorien time përjetimin e plagëve të asaj periudhe, të njerëzve, të institucioneve infrastrukturës së goditur në mënyrë barbare, por edhe aromën e lirisë, të ndjenjës dhe shpresës që buronte nga sytë tuaj për të mirën që po vinte.

Dhe sot kur nuk ka kaluar shumë kohë jemi kontribues në një takim jubilar me një temë që trajton të drejtat e njeriut, për një institucion që mbron të drejta dhe liri themelore të njeriut, për nje një institucion që performon në standarte të larta brenda vendit, aktiv dhe kontributor ndërkombëtarisht” – tha Dervishi.

Ai shtoi se Agjencia për informim dhe privatësi ka arritur të ndërtojë një identitet të qartë institucional në garantimin e transparencës, llogaridhënies dhe mbrojtjes së privatësisë në Republikën e Kosovës. “Bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve tona ka qenë i vazhdueshëm, i sinqertë dhe frytdhënës.

Përtej marrëdhënieve formale ndërinstitucionale, ne kemi ndërtuar një partneritet të bazuar në besim të ndërsjellë, shkëmbim të përvojave dhe një vizion të përbashkët për forcimin e standardeve dhe avancimin e praktikave më të mira në fushat e përgjegjësisë sonë.

Të gjitha këto zhvillime tregojnë se rajoni ynë nuk është më vetëm përfitues i praktikave dhe standardeve ndërkombëtare, por gjithnjë e më shumë po bëhet një kontribuues aktiv në formësimin dhe avancimin e tyre.

Ky është një tregues i rëndësishëm i maturimit institucional të vendeve tona dhe i rolit që mund të luajmë së bashku në arenën ndërkombëtare, duke promovuar vlera, përvoja dhe zgjidhje që pasurojnë bashkëpunimin global”- u shpreh ai. Në fund të ceremonisë u ndanë edhe mirënjohje për zyrtarë kontribuetdhënës në të drejtën e qasjes në dokumente publike dhe mbrojte të të dhënave personale.

Burimi: Kallxo