“Kanga Jonë – Dashni nga Prishtina” është koncerti që ka bërë bashkë emra të dëshmuar të skenës muzikore shqiptare dhe do t’i sjellë para publikut në kryeqytet sonte, tashmë siç ka bërë tradicionalisht që disa vite.
Në sheshin “Skënderbeu” duke filluar nga ora do të dëgjohen zërat e Adhurim Grezdës, Alban Nimanit, Alma Bektashit, Aurela Gaçes, Dren Abazit, Elina Dunit, Jehona Sopit, Sihana Badivukut, Edon Ramadanit, Drini Zeqos, Vesa Lumës dhe Kori Okarina.
Ngjarja përveçse bën bashkë zëra eminent, do të jetë edhe natë mirënjohëse ndaj veprimtarisë së kompozitorit Reshat Randobrava, ikonës muzikore Muharrem Qena e kompozitores Pranvera Badivuku. I pari i Prishtinës, Përparim Rama, në pritjen e organizuar për artistët e mbrëmjes, tha se është kënaqësi bashkimi i artistëve më të mirë të Kosovës e të Shqipërisë.
“Prishtina është qyteti që gjithmonë na bën bashkë dhe gjithmonë mendon përtej. Është qyteti ku secili prej nesh punon për ta zhvilluar dhe për ta transformuar vendin tonë. Në këtë rrugëtim, artistët kanë një rol jetik.
Këtu dua të falënderoj nga zemra posaçërisht Jehonën, si dhe të gjithë artistët që janë bërë bashkë me ne sot këtu, të cilët me dijen dhe përvojën e tyre u bashkuan për të organizuar diçka të mrekullueshme dhe shumë të bukur për kryeqytetin” , tha ai, nën patronazhin e së cilit organizohet ky koncert.
Organizatorja Jehona Sopi tha se kanë kapacitet për 2 mijë ulëse, por kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve meqë interesimi është i lartë. “Të gjithë i quaj në këtë iniciativë kontribues: si qytetarët, si njerëzit që angazhohen, si ata që suportojnë, janë të gjithë kontribues për vendin. Kështu që ne të gjithë kemi shumë dashni me dhënë për Prishtinën, edhe sigurisht që do të japim bashkërisht.
Unë jam shumë e lumtur që interesimi për sonte, që të jenë të pranishëm, është jashtëzakonisht i madh, po nuk kemi ulëse për të gjithë. Kështu që i ftojmë qytetarët që nuk është keq edhe në këmbë me ndejt. Edhe me vallëzu patjetër…Janë diku 2000 ulëse, po nuk kemi më shumë”, tha ajo.
Këngëtarja Aurela Gaçe theksoi se ndjehet mirë kur merr mirënjohje nga shteti dhe nga njerëzit që ia pëkrahin e duan muzikën. “Sigurisht që ndihem gjithmonë shumë e lumtur sa herë marr ftesë për të qenë mes publikut, mes njerëzve në Prishtinë, Gjakovë, Pejë, kudo në Kosovë“, tha ajo. Koncerti “Kanga Jonë – Dashni nga Prishtina” organizohet në kuadër të Ditës së Çlirimit të Prishtinës.
