Vazhdon prania irlandeze në KFOR

0%

Qeveria e Irlandës ka vendosur të vazhdojë pjesëmarrjen e Forcave të saj të Mbrojtjes në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR) edhe për 12 muaj të tjerë. Vendimi është miratuar këtë javë dhe do të mbetet në fuqi pas qershorit të këtij viti, bëri të ditur ministrja irlandeze e Mbrojtjes, Helen McEntee.

Duke komentuar vendimin e Qeverisë, McEntee theksoi rëndësinë e misionit të KFOR-it për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë. “KFOR-i është një mision i rëndësishëm ndërkombëtar që fokusohet në krijimin e një mjedisi të sigurt për qytetarët e Kosovës, si dhe në mbështetjen e përpjekjeve më të gjera ndërkombëtare për ndërtimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha ajo.

Ministrja kujtoi se që nga dislokimi i parë i ushtarëve irlandezë në Kosovë, në gusht të vitit 1999, më shumë se 3.000 pjesëtarë të Forcave të Mbrojtjes të Irlandës kanë shërbyer në kuadër të KFOR-it. “Gjatë kësaj periudhe, Forcat e Mbrojtjes kanë kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në mjedisin e sigurisë në Kosovë, i cili mbetet i qëndrueshëm edhe sot”, u shpreh McEntee.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ajo shtoi se misioni ka qenë gjithashtu një mundësi e rëndësishme për mijëra pjesëtarë të Forcave të Mbrojtjes për të fituar përvojë profesionale dhe për të kontribuar në ruajtjen e paqes.

“Në emër të Qeverisë, dua t’i falënderoj të gjithë anëtarët e Forcave të Mbrojtjes që kanë shërbyer në këtë mision për gati tre dekada, duke kontribuar në stabilitetin e Kosovës dhe duke ofruar një mjedis të sigurt për qytetarët e këtij vendi”, tha ministrja.

Vendimi u mirëprit edhe nga Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Irlandës, gjenerallejtënant Rossa Mulcahy, i cili vlerësoi se pjesëmarrja në KFOR u ofron forcave irlandeze përvojë të vlefshme operacionale dhe forcon bashkëpunimin me vendet partnere. “Jam jashtëzakonisht krenar për të gjithë pjesëtarët e Forcave të Mbrojtjes që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në KFOR.

Përkushtimi dhe profesionalizmi i tyre janë një meritë për Forcat e Mbrojtjes të Irlandës dhe për vetë misionin”, tha ai. Aktualisht, 13 pjesëtarë të Forcave të Mbrojtjes të Irlandës shërbejnë në pozita të ndryshme në Shtabin e KFOR-it në Prishtinë, duke përfshirë oficerë dhe nënoficerë të angazhuar në fusha të ndryshme funksionale brenda misionit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com