Vita Abrashi-Kajtazi Shpërndaje në: Temperaturat ekstreme kanë prekur Evropën. Franca ka shënuar ditën më të nxehtë në histori në qershor e për pak ditë humbën jetën 40 persona si pasojë e temperaturave të larta.
Vapa ekstreme është forma më vdekjeprurëse e motit ekstrem dhe, sipas ekspertëve, ndryshimet klimatike po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta, më të forta dhe më të rrezikshme. Një shembull tragjik është ai i vrapuesit amerikan Philip Kreycik, i cili humbi jetën gjatë një vrapimi në Kaliforni në vitin 2021, pasi temperaturat kaluan 38 gradë Celsius.
Autopsia tregoi se ai kishte pësuar një emergjencë mjekësore të lidhur me të nxehtin, ka shkruar CNN . Si ndikon vapa në trup? Trupi i njeriut ftohet përmes djersitjes. Kur djersa avullon, ajo largon nxehtësinë nga lëkura. Por kur temperaturat janë shumë të larta dhe lagështia është e madhe, ky mekanizëm fillon të dështojë.
Djersitja e tepërt shkakton dehidrim, ndërsa lagështia e lartë pengon avullimin e djersës. Si rezultat, temperatura e trupit rritet me shpejtësi. Zemra punon më fort Në kushte të nxehta, zemra duhet të pompojë më shumë gjak drejt lëkurës për të larguar nxehtësinë.
Në të njëjtën kohë, humbja e lëngjeve ul vëllimin e gjakut, duke e detyruar zemrën të punojë edhe më shumë për të ruajtur tensionin normal. Kjo mund të shkaktojë lodhje, marramendje dhe rritje të rrezikut për probleme serioze kardiovaskulare.
Truri ndikohet shpejt Temperaturat e larta mund të zvogëlojnë furnizimin e trurit me oksigjen dhe glukozë, duke ndikuar në aftësinë për të menduar qartë dhe për të marrë vendime të sakta. “Nëse nuk jeni të përshtatur me të nxehtin, truri juaj çorientohet shumë shpejt dhe mund të merrni vendime të rrezikshme”, ka thënë studiuesi, doktori Pope Moseley.
Kur vapa bëhet vdekjeprurëse Shenjat e para të rrezikut përfshijnë dhimbje koke, të përziera, ngërçe muskulore, lodhje të madhe dhe humbje të vetëdijes. Nëse trupi nuk arrin më të ftohet, zhvillohet sulmi nga nxehtësia (heatstroke), një gjendje emergjente që mund të çojë në dështim të organeve jetësore dhe vdekje.
“Kur temperatura e brendshme e trupit kalon 40 gradë Celsius, personi po i afrohet vdekjes dhe kjo mund të ndodhë shumë shpejt”, paralajmërojnë ekspertët. Edhe te personat që mbijetojnë, dëmtimet mund të jenë afatgjata. Studimet tregojnë se gati 30 për qind e të mbijetuarve nga goditja e rëndë e nxehtësisë mund të pësojnë dëmtime të përhershme të trurit.
Kërcënimi në rritje Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 489 mijë njerëz vdesin çdo vit nga pasojat e nxehtësisë, por ekspertët besojnë se numri real mund të jetë edhe më i lartë. Ndryshe nga uraganet, përmbytjet apo zjarret, vapa nuk lë shenja të dukshme shkatërrimi. Ajo vepron në heshtje, duke dëmtuar trupin gradualisht.
Sipas studiuesve, vapa është një vrasës i padukshëm dhe i heshtur. Ekspertët këshillojnë që gjatë ditëve me temperatura të larta të shmangen aktivitetet fizike në orët më të nxehta, të konsumohet mjaftueshëm ujë, të qëndrohet në ambiente të freskëta dhe të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore nëse shfaqen shenja të sulmit nga nxehtësia.
