Turizmi kulturor i Shqipërisë me 1,5 milionë vizita në vit

0%

Shpërndaje në: Sektori i kulturës ka shënuar zhvillime pozitive gjatë vitit 2025, duke reflektuar rritje të pjesëmarrjes së publikut në aktivitete artistike, zgjerim të bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar dhe shtim të ndjeshëm të vizitorëve në institucionet e trashëgimisë kulturore.

Të dhënat e publikuara nga instituti i statistikave – INSTAT tregojnë se gjatë vitit 2025 në institucionet qendrore të artit u organizuan një mijë e 272 shfaqje dhe premiera, të cilat u ndoqën nga 171 mijë e 607 spektatorë. Ndërkohë, Shqipëria forcoi më tej profilin e saj si destinacion kulturor rajonal dhe ndërkombëtar.

Referuar statistikave, gjatë vitit 2025 u zhvilluan 314 aktivitete kulturore me pjesëmarrje ndërkombëtare, duke tërhequr gjithsej 261 mijë e 654 pjesëmarrës. Prania e artistëve të huaj në jetën kulturore të vendit u zgjerua ndjeshëm. Në aktivitetet kulturore të zhvilluara në Shqipëri morën pjesë 428 artistë të huaj.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Një nga treguesit më domethënës të vitit ishte rritja e interesit për trashëgiminë kulturore. Numri i vizitorëve në muze, parqe arkeologjike dhe institucione të tjera të trashëgimisë kulturore arriti në 1 milion e 523 mijë e 587 persona, ose 15,9 për qind më shumë krahasuar me vitin 2024. Edhe arsimi i lidhur me kulturën vazhdon të mbetet një zgjedhje e rëndësishme për të rinjtë.

Në vitin akademik 2025-2026, në programet e studimit që lidhen me kulturën u regjistruan 16 mijë e 111 studentë. Fusha më e preferuar rezultoi “Arkitekturë dhe Ndërtim”, me 6 mijë e 119 studentë, duke reflektuar interesin në rritje për profesionet që lidhen me zhvillimin urban, restaurimin dhe ruajtjen e trashëgimisë. Sektori kulturor vijon gjithashtu të japë kontribut në tregun e punës.

Sipas INSTAT-it, gjatë vitit 2025 në aktivitetet dhe profesionet e lidhura me kulturën ishin të punësuar 33 mijë e 893 persona, ose 3 për qind e totalit të të punësuarve në vend. Sa i përket kostos së mallrave dhe shërbimeve kulturore, rritja më e lartë e çmimeve është regjistruar në kategorinë “Librat”, me 2,9 për qind krahasuar me një vit më parë.

Nga ana tjetër, të dhënat tregojnë se shpenzimet publike për Argëtim, Kulturë dhe Çështje Fetare përbënin 1,65 për qind të shpenzimeve publike gjithsej dhe 0,50 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke dëshmuar rolin e kulturës në politikat publike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Statistikat e vitit 2025 evidentojnë një sektor kulturor në zgjerim, me pjesëmarrje më të lartë të publikut, rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe interes në rritje për trashëgiminë kulturore, duke e kthyer kulturën në një nga komponentët e rëndësishëm të zhvillimit social dhe ekonomik të Shqipërisë.

Burimi: Koha