Legjenda braziliane e futbollit, Ronaldinho, pritet të rikthehet surprizueshëm në fushën e blertë sezonin e ardhshëm me klubin italian Ravenna, që garon në Serie C.
Fillimisht ishte njoftuar se ish-fituesi i Topit të Artë do të kishte vetëm një rol drejtues dhe promovues në klub, por pronari i Ravennës, Ignazio Cipriani, ka zbuluar se planet kanë ndryshuar dhe Ronaldinho do të luajë zyrtarisht për ekipin.
Ish-ylli i Brazilit, i cili e mbylli karrierën profesionale në vitin 2015 me Fluminensen, do të jetë pjesë e projektit të ri të klubit italian dhe synon të shënojë golin e fundit të karrierës me fanellën e Ravennës. “Ronaldinho dëshiron të lançojë markën e tij sportive R10, në stilin e Michael Jordan. Ravenna do të jetë skuadra e parë që do ta veshë këtë markë.
Ai do të jetë pjesë e ekipit si lojtar i plotë dhe synimi i tij është të shënojë golin e fundit të karrierës me fanellën tonë”, deklaroi Cipriani për Gazzetta dello Sport. Sipas pronarit të klubit, Ronaldinho do të marrë pjesë në prezantimin zyrtar të skuadrës më 21 gusht.
Edhe pse nuk do të jetë në fazën përgatitore, ai pritet të luajë të paktën një ndeshje kampionale, me mundësinë që të paraqitet edhe në më shumë takime gjatë sezonit. “Nuk e dimë ende saktësisht kur do të luajë, pasi kjo varet nga disa faktorë, por me siguri do të jetë në një ndeshje si vendas”, shtoi Cipriani.
Pronari i Ravennës foli gjithashtu për ambiciet e mëdha të klubit, duke e krahasuar projektin me atë të klubit italian Como 1907, i cili brenda pak vitesh kaloi nga Serie C në garat evropiane. Megjithatë, ai theksoi se dallimi kryesor është se Ravenna ka pronarë vendas dhe një lidhje të fortë me qytetin. “Ravenna është shtëpia ime.
Ëndrra ime ka qenë gjithmonë që fëmijët e këtij qyteti të rriten duke mbështetur klubin e tyre. Kemi ende shumë punë për të bërë, duke filluar nga infrastruktura”, përfundoi Cipriani. Nëse gjithçka shkon sipas planit, tifozët e futbollit mund të shohin sërish në aksion një nga lojtarët më spektakolarë të historisë, më shumë se një dekadë pas ndeshjes së tij të fundit profesionale.
