Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e sotme, më , ka miratuar disa vendime, ndër to emërimin e bordit të përkohshëm të ndërmarrjes INFRAKOS, emërimin e Komisionit për kompensimin e viktimave të krimit, rialokimin e mjeteve për projekte kapitale dhe dhënien në shfrytëzim të tokës pyjore për kompaninë Sharrcem.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka propozuar emërimin e bordit të përkohshëm të INFRAKOS-it deri në emërimin e bordit të rregullt, por jo më shumë se gjashtë muaj. Sipas vendimit të miratuar, në përbërje të bordit të përkohshëm u emëruan Getuar Zogu si kryesues, ndërsa Detrina Alishani-Sopi, Fjolla Gashi dhe Genc Hundozi si anëtarë.
Qeveria po ashtu ka emëruar Komisionin për kompensimin e viktimave të krimit. Ministria në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se ky vendim ka për qëllim garantimin e zbatimit të ligjeve dhe standardeve kushtetuese. “Kemi parasysh garantimin e zbatimit të ligjeve. Ky veprim synon të sigurojë standardet kushtetuese të së drejtës”, tha Gërvalla.
Në mbledhjen e sotme është votuar edhe ndalimi i ekzekutimit të Rregullores për trajtimin e thirrjeve telefonike në sistemin e caktimit të avokatëve deri në një vendim të Gjykatës. Duke arsyetuar këtë vendim, Gërvalla tha se disa kërkesa procedurale të parapara mund të krijojnë pengesa, veçanërisht në fazat fillestare të procedurave penale.
“Është vlerësuar e domosdoshme që ekzekutimi i kësaj rregulloreje të pezullohet përkohësisht që të garantohet mbrojtja juridike dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut”, deklaroi ajo.
Qeveria ka miratuar gjithashtu rialokimin e 1.1 milion eurove brenda Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit për realizimin e katër projekteve kapitale në bashkëpunim me kuvendet komunale të komunave përkatëse.
Një tjetër vendim i miratuar në mbledhje ishte dhënia në shfrytëzim të mbi 9 hektarëve tokë pyjore kompanisë Sharrcem për një periudhë 15-vjeçare, me qëllim të nxjerrjes së gurit gëlqeror në fshatin Seçisht të Hanit të Elezit.
