Pas vendosjes së sistemit për monitorimin e trafikut përmes kamerave të sigurisë dhe shqiptimit të gjobave në mënyrë elektronike, KALLXO.com ka pranuar informacione se qytetarёt nuk po njoftohen nё kohё lidhur me kundërvajtjet e evidentuara nga kamerat si dhe gjobat e shqiptuara nga to.
Po ashtu, sipas informacioneve, qytetarët kanë hasur vështirësi gjatë kalimit në pikat kufitare, pasi nuk janë njoftuar me kohё për gjobat nё trafik.
Lidhur me këto çёshtje, KALLXO.com ka intervistuar rreshterin e Policisë së Trafikut në Prishtinë, Vedat Zuka, i cili ka sqaruar mënyrën e funksionimit të sistemit, procedurat e njoftimit të qytetarëve dhe trajtimin e rasteve kur gjobat nuk arrijnë në adresën e pronarit të automjetit.
Zuka tregoi se nё kёto raste, Policia i kontakton drejtuesit apo pronarёt e automjeteve pёrmes telefonit, por nё rastet kur nuk posedojnё numёr kontaktues, Zuka sqaroi se njoftimet rreth gjobave dёrgohen pёrmes Postёs sё Kosovёs. Ai tha se ato dёrgohen nё adresёn zyrtare tё regjistruar nga vetё qytetari.
“Fillimisht ne i shqiptojmë gjobat dhe i dërgojmë në adresën të cilën vetë pronari e ka dhënë në qendrën e regjistrimit civil. Ne kemi raste kur adresën e ka diku në një qytet krejt tjetër, kurse vjen e jeton në Prishtinë. Kur ne e pyesim: “Ku e ke adresën?”, kushtimisht po e marr shembull, thotë: “Muharrem Fejza”, e nuk di asgjë më tepër.
Ne detyrohemi që ato të dhëna të gjobës t’ia dërgojmë në adresën zyrtare, atë të cilën e ka dhënë në qendrën e regjistrimit civil, shënimet e së cilës ne i posedojmë. Dhe tani, ne nuk jemi fajtorë nëse dikush e ndërron dhe nuk e raporton adresën e tij.” – theksoi ai.
Sa i përket rasteve kur qytetarët përballen me probleme në pikat kufitare për shkak të gjobave të papaguara, Zuka tha se automjeti nuk mund të ndalohet pa qenë paraprakisht i njoftuar pronari për kundërvajtjen. “Sa i përket çështjeve të kufirit, është e definuar nga vetë drejtoria që nuk i merret askujt automjeti nëse nuk është njoftuar paraprakisht me gjobën.
Është vendim zyrtar i drejtorisë, të cilin ne e kemi obligative ta zbatojmë dhe e zbatojmë.” – u shpreh ai. Ndёrkaq, Zuka tregoi kamerat e sigurisë janë vendosur që nga viti i kaluar, ndërsa shqiptimi i gjobave përmes tyre ka nisur në tetor të vitit 2025. Ai poashtu shpjegoi se kamerat e bёjnё vetё nё mёnyrё intelegjente identifikimin e kundёrvajtjes nё trafik.
Pas identifikimit tё kundёrvajtjes, Zuka tha se sistemi i ruan tё dhёnat dhe fotografitё e drejtuesit tё automjetit. Poashtu, Zuka bёri tё ditur se ky sistem evidenton disa lloje tё kundёrvajtjeve. “Shkelje kemi të shumta.
Kamerat zakonisht fokusohen në dritën e kuqe në semafor, në përdorimin e telefonit, në ndërrimin e shiritit, në kthimin në vende të ndaluara, në mosdhënien e përparësisë së këmbësorëve, në parkimin e ndaluar dhe në shumë dukuri të tjera. Njëkohësisht, edhe një gjë po jua them se kamerat janë për aspektin e përgjithshëm të sigurisë, jo vetëm për komunikacion.” – potencoi Zuka.
Sipas tij, numri i gjobave të shqiptuara përmes monitorimit, brenda ditёs varion nga 50 deri në 70 raste në ditë. “Po, ne posedojmë të gjitha statistikat, por zakonisht fokusohemi në ato ditore. Mesatarja domethënë për ditë sillet diku te 50 deri në 70 gjoba brenda ditës.” – tha ai.
Zuka tutje u bëri thirrje qytetarëve që të kontrollojnë llogaritë e tyre në platformën E-Kosova, për të shmangur vonesat dhe paqartësitë lidhur me gjobat eventuale. “Sa i përket E-Kosovës, unë e kam potencuar edhe një ditë.
Me qëllim të mosvonimit të procedurave, për shkak se nëse në kufi e ndal, pala thotë: “S’kam ditur”, zyrtari policor e merr, e shikon, dhe është një procedurë pastaj atje 1 orë, 2, 3 derisa të bëhet verifikimi.
Për atë arsye, unë ju kam rekomanduar edhe më herët, po ju rekomandoj edhe tash: nuk mendoj që i kushton dikujt shumë nëse një herë në javë apo dy javë pёr 30 sekonda e këqyrë E-Kosovën. Nuk ka të keqe, për atë është lansuar platforma.” – deklaroi ai.
Ai u shpreh se pёrkundёr kёsaj, kjo gjё nuk ёshtё obligative dhe se nё momentin kur qytetari podeson dёshmi se nuk e ka marrё njoftimin e gjobёs me kohё, Policia mund ta bёjё editimin dhe e paguan me 50 pёr qind. Në fund, Zuka u bëri thirrje shoferëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit.
“Nga tani e tutje mund t’jua konfirmoj se Prishtina është nën vëzhgimin e kamerave; njëkohësisht, kamerat e bëjnë vetë identifikimin e kundërvajtjes. Le të jenë të njoftuar, le të kenë kujdes, le t’i respektojnë thjesht ligjin edhe komunikacioni le tё shkojë më qetë, më mirë.” – tha Zuka.
Drejtoria e Policisë në Prishtinë pati njoftuar se ka filluar shqiptimin e gjobave ndaj kundërvajtësve në trafik përmes monitorimit të kamerave të sigurisë që janë vendosur në rrugët e Prishtinës.
Policia pati sqaruar se ky sistem i avancuar është funksionalizuar me qëllim të rritjes së sigurisë publike në rrugët e Kryeqytetit, po ashtu edhe me qëllim të zbulimit të rasteve të ndryshme të kundërvajtjeve në trafik.
“Me anë të këtyre kamerave do të mundësohet identifikimi në kohë reale i kundërvajtjeve, siç janë tejkalimi i shpejtësisë, mosrespektimi i semaforëve, ndalimi në vende të palejuara dhe shkelje të tjera sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor. Pas identifikimit gjobat do të dërgohen në adresat postare të kundërvajtësve.” – patёn deklaruar nga Policia e Kosovës.
