Ish-futbollisti anglez, Gabby Agbonlahor, beson se Lionel Messi mund ta çojë Aston Villën drejt titullit të Premier League dhe Ligës së Kampionëve, ndërsa është i bindur se argjentinasi do të vazhdojë karrierën deri në Kupën e Botës 2030, kur do të jetë 43 vjeç.
Duke folur për talkSPORT, Agbonlahor u pyet se cilin lojtar do të dëshironte të shihte te Aston Villa mes Messit, Harry Kane, Kylian Mbappe dhe Erling Haaland. Përgjigjja e tij ishte e menjëhershme. “Messi. Mendoj se Villa do ta fitonte Premier League-n”, tha ai.
Më pas shtoi me bindje: “Nëse Aston Villa e transferon Messin, atëherë fiton Premier League-n dhe Ligën e Kampionëve.” Deklarata vjen pas fillimit spektakolar të Messit në Kupën e Botës 2026. Kapiteni i Argjentinës u bë lojtari më i vjetër që realizon hat-trick në një ndeshje të Botërorit, pasi shënoi tre gola në fitoren 3-0 ndaj Algjerisë.
Më pas ai shtoi edhe dy gola në suksesin 2-0 kundër Austrisë. Me këto paraqitje, Messi ka shënuar në gjashtë ndeshje radhazi të Kupës së Botës dhe ka arritur në kuotën e 18 golave, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e turneut. Agbonlahor u bëri thirrje tifozëve që ta shijojnë sa më shumë lojën e argjentinasit.
“Kur e pashë Argjentinën në Katar, ndihesha sikur isha në praninë e një perëndie. Atmosfera ishte si një koncert 90-minutësh i Messit dhe ishte një nga përvojat më të mira që mund të përjetosh në futboll”, deklaroi ai. Ndërsa shumëkush mendon se ky do të jetë Botërori i fundit i Messit, ish-sulmuesi anglez ka një mendim krejt tjetër.
“Më besoni, mos u habisni nëse Messi luan edhe një Kupë Bote tjetër. Unë mendoj se ai do të jetë pjesë edhe e Botërorit 2030”, tha Agbonlahor. Argjentina tashmë e ka siguruar vendin e parë në grup dhe do ta mbyllë fazën e grupeve kundër Jordanisë.
Në fazën e 32 më të mirëve, kampionët në fuqi do të përballen me skuadrën e vendit të dytë nga Grupi H, ndërsa Messi do të synojë të vazhdojë formën e jashtëzakonshme para portës.
