Deputeti i LDK-së, Fadil Hadërgjonaj, ka bërë thirrje për reflektim të thellë, unitet dhe përgjegjësi brenda partisë, duke theksuar se LDK-ja nuk duhet të merret me përçarje të brendshme apo beteja personale.
Përmes një reagimi publik, ai ka vlerësuar se Kosova po përballet prej vitesh me krizë politike, polarizim shoqëror dhe stagnim institucional, ndërsa ka kërkuar që energjitë të përqendrohen në forcimin e LDK-së dhe në ofrimin e zgjidhjeve për qytetarët.
Hadërgjonaj ka theksuar se analiza e situatës duhet të jetë e ndershme dhe kolektive, duke nënvizuar se “sot më shumë se kurrë, uniteti nuk është vetëm nevojë politike, por përgjegjësi kombëtare”. “LDK nuk është rastësi. LDK është histori. LDK është përgjegjësi. LDK është dashni” , ka përfunduar ai.
Postimi i plotë: Të dashur simpazantë, votues dhe struktura të LDK-së, LDK-ja sot ka nevojë për reflektim të thellë, jo për fajësime; për unitet, jo për ndarje; për urtësi, maturi e mençuri, jo për përplasje të panevojshme.
Në një kohë kur Kosova tash e sa vite po lëngon nga kriza politike, polarizimi shoqëror, stagnimi institucional dhe mungesa e perspektivës së qartë zhvillimore, LDK-ja nuk e ka luksin të merret me përçarje të brendshme apo me beteja personale.
Përkundrazi, ka obligim ndaj historisë së saj, ndaj anëtarësisë dhe ndaj qytetarëve që të jetë e bashkuar, e përgjegjshme dhe e gatshme të ofrojë zgjidhje. Kosova po përballet prej vitesh me këtë “mortajë” politike që ka dobësuar institucionet, ka zbehur besimin qytetar dhe ka ngadalësuar zhvillimin e vendit.
Në rrethana të tilla, çdo energji duhet të orientohet drejt forcimit të LDK-së dhe rolit të saj në shërbim të shtetit, e jo drejt thellimit të dallimeve ndërmjet nesh. Analiza duhet të jetë e ndershme, kolektive dhe e bazuar në përgjegjësi, duke nxjerrë mësime dhe duke marrë vendime të qarta për ecje përpara. Kjo nuk është kohë për ego personale, por për vizion të përbashkët.
Nuk është kohë për ndarje, por për bashkim rreth vlerave që e kanë bërë LDK-në shtyllë të shtetformimit dhe demokracisë në Kosovë. LDK-ja do të vazhdojë të ruajë dhe të mbrojë vlerat e saj burimore. Do të mbetet zëri i arsyes, i dialogut, i shtetit dhe i interesit kombëtar.
Sepse Kosova ka nevojë për një LDK të fortë, të bashkuar dhe të mençur, që mbi çdo interes individual vendos interesin e qytetarëve dhe të Republikës. Sot më shumë se kurrë, uniteti nuk është vetëm nevojë politike; është përgjegjësi kombëtare. Vetëm të bashkuar mund ta ndihmojmë Kosovën të dalë nga kjo gjendje e rëndë dhe t’i rikthejmë shpresën, besimin dhe drejtimin që meriton.
LDK nuk është rastësi. LDK është histori. LDK është përgjegjësi. LDK është dashni 🩵
