Shpërndaje në: Vlerësimet e Agence France Prese (AFP) thonë se 94 milionë evropianë do të përjetojnë të mërkurën temperatura mbi 35 gradë celsius. Shumica e tyre do të jenë në Francë dhe në Spanjë. Ndërkaq, më shumë se 350 milionë njerëz do të përjetojnë temperatura mbi 30 gradë celsius. Kjo është dy e treta e popullsisë së kontinentit, dhe ende është vetëm fillimi i verës.
Temperaturat pritet të arrijnë kulmin në Holandë dhe Belgjikë të premten, ndërsa zhiva në Gjermani pritet të rritet në 40 gradë celsius gjatë fundjavës. Vala e të nxehtit do të shtrihet edhe në Evropën Lindore gjatë ditëve të ardhshme, me paralajmërime të ashpra për nxehtësi, të lëshuara për vende si: Polonia, Kroacia dhe Hungaria për më vonë gjatë javës.
Deri më tani, Franca, Spanja dhe Italia janë goditur më rëndë nga vala e të nxehtit. Të paktën 40 persona janë mbytur në incidente të lidhura me valën e të nxehtit në Francë që nga e enjtja e kaluar, sipas autoriteteve.
