Toshkovski: Sfidat e migrimit kërkojnë zgjidhje të përbashkëta, partneritet dhe mbështetje konkrete

0%

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, sot iu drejtua të pranishmëve në hapjen e Takimit të Përfaqësuesve të Lartë në kuadër të Procesit të Pragës për dialogun mbi migracionin, i cili zhvillohet sot dhe nesër në Shkup, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shteteve anëtare, organizatave ndërkombëtare dhe institucioneve partnere të përfshira në menaxhimin e migracionit dhe azilit.

Në fjalimin e tij, ministri Toshkovski theksoi se migracioni nuk është një temë abstrakte politike, por një realitet me të cilin përballen çdo ditë shtetet, institucionet dhe qytetarët. “Migracioni është një realitet që e ndiejmë në kufijtë tanë, në komunitetet tona dhe në jetën e njerëzve.

Maqedonia gjatë viteve ka mësuar se menaxhimi efektiv i migracionit kërkon investim të vazhdueshëm në burimet njerëzore, modernizimin e infrastrukturës kufitare dhe bashkëpunim të ngushtë me vendet fqinje dhe agjencitë evropiane”, theksoi ministri Toshkovski.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Duke iu referuar Paktit të ri të Bashkimi Evropian për migracionin dhe azilin, ministri nënvizoi se zbatimi i suksesshëm i tij mund të arrihet vetëm përmes përfshirjes aktive të vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e harmonizimit dhe zbatimit të politikave të reja.

“Pakti nuk do të mund të funksionojë plotësisht nëse zbatohet vetëm brenda Bashkimit Evropian, ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor mbeten të vetme për t’u përballur me pasojat dhe sfidat.

Nevojitet bashkëpunim i vërtetë, mbështetje financiare e parashikueshme, ndihmë operacionale dhe mekanizma formalë partneriteti që do të mundësojnë harmonizimin e legjislacionit, shkëmbimin e informacionit dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta”, theksoi Toshkovski.

Ministri nënvizoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar ndaj modernizimit të menaxhimit kufitar, zhvillimit të konceptit të kufijve inteligjentë, forcimit të trajnimeve dhe shkëmbimit të informacionit me institucionet partnere, si dhe mbrojtjes së kategorive të rrezikuara të qytetarëve dhe luftës kundër kontrabandimit të emigrantëve.

Në kuadër të takimit do të zhvillohen disa sesione tematike kushtuar përgatitjeve për Konferencën e Pestë Ministrore të Procesit të Pragës dhe Planit të ri të Veprimit 2028–2032, politikave aktuale të migrimit në rajon, si dhe masave dhe aktiviteteve konkrete për përballimin e sfidave të migrimit.

Burimi: Telegrafi