Policia po kërkon një shtetas britanik në lidhje me vdekjen e një modeleje 36-vjeçare, trupi i së cilës u gjet brenda një valixheje në një apartament në Kolumbi. Trupi i Natalia Villalba Angarita, një modele nga Cucuta në veri të Kolumbisë, u zbulua nga personeli i pastrimit, raporton Daily Mail.
Punonjësit gjetën trupin e viktimës të fshehur brenda një valixheje në banjë, ndërsa dushi vazhdonte të ishte i hapur. Në vendngjarje u gjetën edhe sende personale, përfshirë dy pasaportat e saj, një e skaduar dhe një e vlefshme, me vula që tregonin udhëtime të fundit në Spanjë. Dyshohet se vrasja ka ndodhur në një apartament në katin e shtatë.
Rasti po hetohet si një vdekje e dhunshme dhe vrasje e mundshme me paramendim. Ekspertët mjeko-ligjorë e dërguan trupin për autopsi, me qëllim përcaktimin e shkakut dhe kohës së saktë të vdekjes, si dhe për analizimin e gjurmëve të gishtërinjve dhe provave të tjera materiale.
Një shtetas amerikan nga shteti i Texas kishte qenë i pranishëm gjatë ditëve të para të qëndrimit të saj në apartament. Ndërkohë, një shtetas britanik kishte hyrë në apartament më 17 qershor dhe ishte larguar të nesërmen. Pamjet e kamerave të sigurisë (CCTV) kanë regjistruar britanikun duke transportuar çarçafë dhe rroba shtrati drejt një zone lavanderie.
