Një festival golash ka rezultuar ajo mes Norvegjisë dhe Senegalit, ndeshje e vlefshme për grupin I. Sfida e zhvilluar në stadiumin “MetLife” të New York, përfundoi në favor të norvegjezëve 3-2. Epërsia për “Vikingët” vjen vetëm në minutat e fundit të shtesës së pjesës së parë.
Mbrojtësi i senegalezëve gabon në një largim të nxituar të topit dhe Marcus Pedersen nuk e ka të vështirë ta shfrytëzojë shansin e artë për të dërguar topin në fundin e rrjetës për shifrat 1-0.
Me fillimin e pjesës së dytë, “bomberi” Erling Haaland kujdeset të shënojë të dytin në të 48-tën për dyfishimin e rezultatit në favor të të tijëve, por Ismaila Sarr reagon shpejtë dhe në minutën e 53-të ngushton diferencat.
Megjithatë, dukej se Haaland nuk u pajtua me këtë kundërpërgjigje të rivalit dhe në harkun e 5 minutave tund sërish rrjetën në portën e Mendy për të plotësuar dopietën personale. Në “frymën” e fundit, i njëjti autor nga senegalezët, pra Sarr, “i frymëzuar” nga rivali i tij Haaland kompleton edhe ai të dytin personal.
Me rezultatin final 3-2, Norvegjia ndjek Francën në grup me pikë të plota, 6 për kokë dhe të dyja sigurojnë edhe matematikisht kalimin në fazën tjetër. Ndërsa, sa i takon vendit të play-off, ndeshja e fundit do të jetë përcaktuese, me Senegalin dukshëm më të favorizuar, së paku në letër.