Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka njoftuar se ka filluar faza e dytë e asfaltimit të rrugës Gorancë – Krivenik, një projekt që, sipas tij, ka rëndësi të veçantë për banorët e zonës dhe zhvillimin lokal. Përmes një postimi në Facebook, Ballazhi bëri të ditur se punimet po vazhdojnë pas përfundimit të fazës së parë të projektit.
“Ka filluar faza e dytë e asfaltimit të rrugës Gorancë – Krivenik, duke vazhduar realizimin e një projekti me rëndësi të veçantë për banorët dhe zhvillimin e kësaj zone”, ka shkruar Ballazhi. Ai theksoi se punimet po zhvillohen në drejtim të fshatit Krivenik, me synim përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët.
“Pas përfundimit të fazës së parë, puna po vazhdon drejt Krivenikut, duke përmirësuar infrastrukturën, lehtësuar qarkullimin dhe krijuar kushte më të mira për zhvillimin ekonomik, bujqësinë dhe turizmin malor”, ka deklaruar ai. Kryetari i Hanit të Elezit ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin gjatë zhvillimit të punimeve, duke kërkuar mbështetjen e tyre deri në përfundimin e projektit.
“Faleminderit të gjithë qytetarëve për mirëkuptimin dhe mbështetjen gjatë realizimit të punimeve”, ka përfunduar Ballazhi. / Telegrafi
