Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar ashpër pas kërkesave publike të dy kryetarëve të degëve të LDK-së në Pejë dhe Lipjan për dorëheqjen e tij, duke e cilësuar këtë veprim si të parregullt dhe të paadresuar siç duhet brenda strukturave partiake.
Në reagimin e tij, Abdixhiku shprehet i befasuar që, siç thotë ai, “sugjerimet dhe kërkesat e koordinuara” për dorëheqjen e tij janë bërë përmes mediave, duke theksuar se një qasje e tillë do të duhej të ndodhte “ballë për ballë”, duke pasur parasysh bashkëpunimin e gjatë brenda partisë.
Ai pranon se rezultatet zgjedhore në Pejë dhe Lipjan nuk kanë qenë të kënaqshme, por thekson se rënia e LDK-së në këto komuna, ku partia ka pasur qeverisje, sipas tij lidhet me “sabotim të brendshëm” dhe me projekte që nuk përfaqësojnë identitetin e LDK-së. Postim i plotë: Si nuk u ngopën kurrë?!
I falënderoj për sugjerimet e kërkesat e koordinuara te dy Kryetarëve të Degëve, të Pejës e Lipjanit, të dhëna nëpërmjet mediave për dorëheqjen time. Do të kishte qenë më korrekte që këtë ta bënin ballë për ballë. Fundja kemi bashkëpunuar gjatë. Pajtohem që rezultati në këto dy degë nuk është i kënaqshëm.
Në komuna ku kemi qeverisje, të dalim të tretët tregon vetëm dozën e një sabotimi të thellë dhe të një projekti që nuk është i LDK-së. Unë çështjen e dorëheqjes sime e kam trajtuar në Kuvendin e 31 janarit. Edhe përballë këtyre dy kryetarëve. Anëtarësia jonë, për mua, ka folur qartë.
Por, për performancën e dobët në këto dy degë, rezultatin më të ulët ndër vite, pres dorëheqjet morale të dy kryetarëve në fjalë. I pranoj menjëherë. E siguroj anëtarësinë e gjerë të LDK-së se nuk do të lejojmë, që projektet e ndarjeve të LDK-së nga sabotues të qëllimshëm të marrin formë. Ato dështuan më 31 janar; dështuan në zgjedhje, do te dështojnë edhe tash.
Që nga atëherë, me te gjitha pengesat e dyshimet, në një kohë aq të shkurtë, ne megjithatë u rritëm. Sot, në asnjë rrethanë, me asnjë çmim, nuk do te lejojme që vullneti i shumicës derrmuese të LDK-së të tjetërësohet ne projekte që synojnë ndarjen dhe më pas shuarjen e LDK-së. Fundja, LDK nuk është konfederatë e interesave lokale. As platforme e karrierave individuale.
LDK mbetet parti nacionale. E vetes. E askujt tjetër; sidmos e asnje partie tjetër. Ftoj anëtarësinë shumicë që, në këto kohë të trazuara, të ruajë qetësinë. Do ta kapërcejmë secilën sfidë siç dimë ne. Ndjej vetem keqardhje, që në momentet me të rëndësishme të LDK-së e vendit, dëmtimi ynë nga brenda mbetet qëllim. Si nuk u ngopën kurrë?!
