Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Pejë ka kërkuar dorëheqjen e udhëheqjes së partisë pas rezultatit zgjedhor të 7 qershorit. Ata thonë se ky vendim erdhi pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit 2026.
“Me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë”- thuhet në njoftim. Sipas LDK-së në Pejë, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.
“Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”- theksohet në komunikatë. Bazuar në rezultatet preliminare të publikuara në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, LDK ka dalë e treta, me 16.69% dhe ka siguruar 18 ulëse në kuvend.
Zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit kanë nxjerrë Lëvizjen Vetëvendosje si subjektin me më së shumti vota, por pa siguruar numrin e nevojshëm të deputetëve për ta formuar e vetme qeverinë. I pyetur nga KALLXO.com se kë nga partitë e preferon për koalicion, Kurti nuk dha përgjigje. Ndarja e ulëseve në Kuvendin e Kosovës tashmë dihet me përfundimin e procesit të numërimit të votave.
Lëvizja Vetëvendosje ndonëse me deputetët e komuniteteve joshumicë, mund ta formojë qeverinë si e vetme, por presidentin do ta ketë të pamundur ta zgjedh pa bashkëpunim me partitë tjera shqiptare. Zgjedhja e presidentit të ri mbetet një nga sfidat më të mëdha pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Derisa disa parti janë në pritje të certifikimit të rezultatit zgjedhor për të hapur diskutimet e brendshme, ka nga to që hyjnë në këtë proces me emër konkret. Nëse Kuvendi konsituohet shpejt, deputetët e rinj do të kenë 60 ditë afat për ta zgjedhur kreun e vendit.
Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë presidentin e vendit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Në seancën e fundit, e cila kishte nisur më 27 prill dhe përfundoi më 28 prill, nuk pati kuorum për votim.
Ndonëse juridikisht nuk ka një dispozitë të prerë që përcakton se cili proces duhet të ketë përparësi absolute, në një rast të tillë kur Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se 60 ditë është afati për zgjedhjen e presidentes, njohësit e Kushtetutës dhe çështjeve ligjore vlerësojnë se, për shkak të afateve dhe rrezikut nga vakumi institucional, zgjedhja e kryetarit të shtetit duhet të jetë prioriteti kryesor.
Paragrafi numër 182 i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës , specifikon se Kuvendi ka në dispozicion afatin gjashtëdhjetë (60) ditor përpara hyrjes në periudhën tridhjetë (30) ditore të përcaktuar me paragrafit 2 të nenit 86 të Kushtetutës.
Megjithatë, sipas aktgjykimit, në kontekst të rrethanave të rastit, ndërlidhur me afatin e përcaktuar kushtetues të zgjedhjes së Presidentit kur nuk ka Kuvend të konstituuar dhe funksional dhe duke iu referuar qëllimit të normave kushtetuese, “Gjykata vlerëson se procedura për zgjedhjen e Presidentit duhet të fillojë nga dita e konstituimit të Kuvendit dhe të përfundojë më së largu brenda gjashtëdhjetë (60) ditëve nga dita e fillimit të procedurës për zgjedhjen e Presidentit.”
