Shpërndaje në: Shpejt po shndërrohet në garë gjenerate për “Këpucën e Artë”. Lionel Messi udhëheq me pesë gola nga dy ndeshje. Kylian Mbappe dhe Erling Haaland janë aty me nga katër gola. Është vetëm hera e dytë në histori të Kupës së Botës që tre lojtarë kanë shënuar katër apo më shumë gola pas dy xhirove. Dhe hera e parë që nga viti 1954.
Orët e kaluara ishin të pabesueshme nga disa prej sulmuesve më të mirë që ka parë futbolli. Fillimisht Messi shënoi dy gola dhe vendori rekord të Kupës së Botës. Tani i ka 18 gola në krye të listës. Mbappe u përgjigj me dy gola po ashtu, në paraqitjen e 100-të për Francën. Seria impresive vazhdoi me Haalandin që realizoi dy herë për Norvegjinë.
Fillim jo i keq i karrierës në Botëror për norvegjezin e shkëlqyer. Çdo gjë që mund të bëj njëri, tjetri mund ta bëj edhe më mirë, shkruan BBC. Të tjerë yje, si Harry Kane, mund të shtohen në këtë garë impresive. Skena më e madhe po shfrytëzohet maksimalisht nga lojtarët më të mëdhenj. “Yjet e duan topin gjithë kohën.
Jo vetëm që e kërkojnë Këpucën e Artë, por tashmë janë edhe në garë për rekordin e Botërorëve”, ka thënë eksperti i futbollit francez, Julien Laurens. Para Botërorit, gjermani Miroslav Klose e mbante rekordin me 16 gola. Pas dy xhirove, Messi tani është i pari me 18 gola nga 28 ndeshje në Botërorë. Dhe Mbappe nuk është larg. Tashmë është barazuar me Klosen.
Francezi i ka 16 gola në 16 ndeshje në Kupa të Botës. Mbappe do të synojë të bëhet i pari që e fiton “Këpucën e Artë” të Botërorit më shumë se njëherë dhe ta tejkalojë totalin e Messit. Haalandi po e bënë garën edhe më të veçantë, ndonëse e ka më së vështiri. Ai te Norvegjia nuk ka yje përreth që i kanë Messi te Argjentina dhe Mbappe te Franca.
Por me ritmin aktual, Haaland mund të shkoj larg. Gjithë këta lojtarë kanë tipare të ndryshme. Dhe kjo e bënë edhe më interesante garën. Tashmë synohet edhe rekordi i francezit Just Fontaine nga viti 1958 prej 13 golash në një Botëror të vetëm. Vetëm tre lojtarë kanë shënuar ndonjëherë dhjetë e më shumë gola në një edicion të Kupës së Botës.
Pos Fontaine këtë e bëri edhe Gerd Muller i Gjermanisë në vitin 1970 dhe Sandor Kocsis i Hungarisë në vitin 1954. Emra të rinj mund të shtohen në listën e pretenduesve për “Këpucën e Artë”, që i ndahet golashënuesit më të mirë. “Nuk është diçka për të cilën po mendoj tani”, tha Mbappe. “Leo gjithmonë shënon. Ai gjithmonë ka shënuar dhe gjithmonë do të shënojë.
Nëse filloj ta shikoj, do të ndiej sikur duhet të bëj edhe më shumë. Kështu që jo, nuk e shikoj atë që po bën. Mendoj vetëm për të ndihmuar ekipin tim. Shënoj gola dhe i afrohem atij niveli”, ka vazhduar Mbappe. Emra të rinj po dalin në Botërorin në SHBA, Kanada e Meksikë. Por përfundimisht ky është edhe Botërori i yjeve kryesorë të lojës.
