Një oficer policie humbi jetën gjatë një operacioni policor në lagjen Côte-des-Neiges në Montreal të Kanadasë, ndërsa edhe i dyshuari u vra nga të shtënat e forcave të rendit. Sipas raportimeve të mediave lokale, ngjarja ndodhi gjatë një ndërhyrjeje policore, ku situata u përshkallëzua në shkëmbim zjarri.
Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditura rrethanat e plota që çuan në incidentin fatal. Dëshmitarë në vendngjarje raportuan momente paniku, teksa u dëgjuan dhjetëra të shtëna. Një prej tyre deklaroi se pa xhamat e një ndërtese të thyheshin në katin e gjashtë dhe se dëgjoi rreth 30 të shtëna. “Dëgjova plumba që kalonin shumë pranë meje.
Ishte një situatë e frikshme”, tha dëshmitari për mediat lokale. Pas incidentit, autoritetet lëshuan një alarm emergjence për banorët e zonës, duke paralajmëruar se i dyshuari ishte i armatosur dhe i rrezikshëm. Qytetarëve iu kërkua të shmangnin zonën derisa operacioni të përfundonte.
Më vonë u konfirmua se i dyshuari u neutralizua nga policia, por një oficer humbi jetën si pasojë e plagëve të marra gjatë ndërhyrjes. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në përplasjen e armatosur. Për momentin nuk janë bërë publike detaje të tjera mbi identitetin e viktimave apo motivet e incidentit.
