Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se është në pritje të përfundimit të të gjitha procedurave ankimore para se të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Kjo vjen pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar dy ankesat e paraqitura nga kandidati i PDK-së, Bekim Haxhiu, dhe kandidati i LDK-së, Qëndrim Kryeziu, të cilët kishin kërkuar rinumërim të votave. Sipas vendimit të PZAP-it, ankesat janë konsideruar të pabazuara dhe nuk është urdhëruar rinumërim shtesë i votave.
PZAP refuzon ankesat e Bekim Haxhiut dhe Qëndrim Kryeziut për rinumërim të votave Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka konfirmuar se institucioni tashmë është njoftuar me vendimet e PZAP-it, por ka theksuar se palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme brenda afatit ligjor prej 48 orësh.
“Mund t’iu konfirmoj se KQZ është njoftuar me vendimet e PZAP-it lidhur me dy ankesat e paraqitura në këtë institucion. Ndaj këtyre vendimeve, palët kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve në Gjykatën Supreme, andaj KQZ do të presë që vendimet të marrin formën e prerë”, ka deklaruar ai.
Sipas KQZ-së, vetëm pas plotfuqishmërisë së vendimeve do të vlerësohet nëse ekzistojnë obligime konkrete për zbatim nga ana e institucionit. Nëse nuk do të ketë vendime të tjera që ndikojnë në proces, atëherë KQZ do të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
Kujtojmë se Bekim Haxhiu kishte kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së, duke argumentuar se gjatë rinumërimeve të deritanishme janë evidentuar mospërputhje në numërim dhe se diferencat e ngushta mes kandidatëve mund të ndikojnë në renditjen përfundimtare. Megjithatë, PZAP nuk e ka mbështetur këtë kërkesë.
