Shpërndaje në: Ushtria e Birmanisë ishte përgjegjëse për më shumë se 700 vdekje civilësh gjatë periudhës gjashtëmujore të zgjedhjeve vitin e kaluar, thotë OKB-ja. Një raport i ri, që mbulon periudhën nga gushti deri në janar, thotë se burime të besueshme kanë verifikuar të paktën 702 persona të vrarë, përfshirë 224 gra dhe 153 fëmijë.
Raporti përfshin gjashtë muajt që nga momenti kur ushtria – e cila kreu një grusht shteti pesë vjet më parë – shpalli zgjedhjet, një proces që është kritikuar gjerësisht si farsë, pasi partitë kryesore opozitare u përjashtuan. Raporti paralajmëron se “rënia e ndihmës ndërkombëtare po e përkeqëson më tej vuajtjen e miliona njerëzve”.
Ushtria e Birmanisë mori pushtetin me grusht shteti në vitin 2021, duke nxitur një luftë civile në të cilën mijëra njerëz janë vrarë dhe miliona janë zhvendosur. Zona të mëdha të vendit mbeten nën kontrollin e grupeve të armatosura opozitare. Raporti i Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut thekson se sulmet ajrore “mbetën shkaku kryesor i shkatërrimit dhe vuajtjeve”.
Rajoni i Sagaingut ishte “rajoni më i rrezikshëm për civilët, ndërsa ushtria përpiqej të fitonte terren”, me 191 të vrarë, përfshirë 60 gra dhe 30 fëmijë, thuhet në raport. Gjatë një sulmi në tetor, 23 persona, përfshirë katër fëmijë, u vranë dhe më shumë se 60 të tjerë u plagosën kur municionet goditën civilët e mbledhur para një shkolle në Chaung-U, në rajonin Sagaing.
“Në kohën e sulmit, pjesëmarrësit po mbanin një aktivitet me qirinj për të shënuar fundin e Kreshmës Budiste, si dhe për të kërkuar lirimin e të burgosurve politikë, për të kundërshtuar rekrutimin ushtarak dhe për të refuzuar zgjedhjet e organizuara nga ushtria”, thuhet në raport.
Në dhjetor, sipas raportit, një avion ushtarak bombardoi një çajtore në Tabayin, në Sagaing, ku njerëzit ishin mbledhur për të ndjekur një ndeshje futbolli, duke vrarë të paktën 19 persona dhe duke plagosur 20 të tjerë.
Raporti përmend gjithashtu abuzimet ndaj popullsisë Rohingya, e cila është përballur me rekrutim të detyruar nga Ushtria Arakaneze, si dhe me vrasje, arrestime arbitrare dhe dhunë seksuale.
“Sikur populli i Birmanisë të mos kishte vuajtur mjaftueshëm nga duart e ushtrisë, tani duket se është harruar edhe nga ata jashtë vendit,” tha Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk.
“Financimi për përpjekjet lokale të mbrojtjes ishte në shumë zona i vetmi ngushëllim përballë vuajtjeve të shkaktuara nga shënjestrimi i vazhdueshëm dhe sulmet pa dallim të ushtrisë. Tërheqja e kësaj mbështetjeje vetëm sa e thellon plagën,” shtoi ai. Top of Form Bottom of Form
