Japonia shënoi fitore bindëse me rezultat 4:0 ndaj Tunizisë në ndeshjen e xhiros së dytë të Grupit F të Kampionatit Botëror. Ky ishte një sukses historik për japonezët, pasi ndeshja ishte e 1000-ta në historinë e Kampionateve Botërore, ndërsa njëkohësisht u regjistrua fitorja më e thellë e Japonisë në një Botëror.
Pas ndeshjes, përzgjedhësi i Japonisë, Hajime Moriyasu, u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij. “Ishte ndeshja e dytë e Kupës së Botës, një duel me tension të lartë dhe një prej atyre që e ndoqi e gjithë bota. Jam i lumtur që arritëm ta sigurojmë fitoren në një përballje të tillë”, deklaroi Morijasu.
Pavarësisht problemeve të shumta me lëndime në kampin japonez, ai vlerësoi thellësinë e skuadrës. “Është e vështirë dhe e dhimbshme t’i shohësh lojtarët duke u lënduar. Megjithatë, ne e kemi ndërtuar këtë ekip me idenë që kushdo që futet në fushë të jetë në gjendje të fitojë dhe të kontribuojë menjëherë për ekipin”, theksoi ai.
Heroi i madh i takimit ishte sulmuesi i Feyenoord, Ayase Ueda, i cili realizoi dy gola dhe dhuroi një asistim. “Isha shumë i zhgënjyer pas turneut të kaluar, ndaj tani më në fund ndihem sikur po e shlyej atë zhgënjim”, tha Ueda. Ai shtoi se pas barazimit me Holandën në ndeshjen e parë, fitorja ndaj Tunizisë ishte jetike.
“Moruam një pikë në një ndeshje të vështirë në start dhe duhej ta ndërtonim vazhdimin me tri pikë sot. Jam i lumtur që dhashë kontributin tim në këtë fitore”, p ërfundoi sulmuesi japonez.
