Flutura Gashi-Mehmeti Shpërndaje në: Bisedimet midis Iranit dhe SHBA-së, që synojnë të forcojnë marrëveshjen e përkohshme dhe të brishtë për t’i dhënë fund konfliktit, janë përballur me vështirësi, përfshirë vendimin e Iranit për ta mbajtur të mbyllur Ngushticën e Hormuzit në shenjë proteste ndaj paaftësisë së presidentit amerikan, Donald Trump, për ta detyruar Izraelin të ndalojë luftimet në Liban.
Ministria e Jashtme e Katarit, ka njoftuar përmes një deklarate të dielën pasdite se bisedimet tashmë kanë nisur. Ato po mbahen në një resort turistik në Lucern të Zvicrës.
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, i cili udhëheq delegacionin amerikan, kishte deklaruar më herët se do ta shtonte çështjen e Libanit në agjendën që fillimisht ishte konceptuar për t’u përqendruar te hapja e Ngushticës së Hormuzit, heqja e sanksioneve amerikane ndaj eksporteve iraniane të naftës dhe zhbllokimi i aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit.
Delegacioni iranian udhëhiqet nga kryetari i parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, por prania e zëvendësministrit të naftës dhe guvernatorit të bankës qendrore të Iranit tregon se Teherani dëshiron të përqendrohet kryesisht te kushtet për heqjen e sanksioneve.
Ministria e Jashtme e Zvicrës ka thënë se delegacionet e SHBA-së dhe Iranit, si dhe ndërmjetësit nga Pakistani dhe Katari, janë të gjithë të pranishëm në resortin luksoz ku po zhvillohen bisedimet.
