Pas përfundimit të numërimit të të gjitha votave nga zgjedhjet e 7 qershorit dhe në pritje të certifikimit të rezultateve, vëmendja tashmë është zhvendosur te formimi i institucioneve të reja të Kosovës.
Analisti politik, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se partit të tregohen përgjegjësi dhe të angazhohen për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja shtetërore. Qarri ka potencuar se qytetarët tashmë janë lodhur nga proceset e shpeshta zgjedhore dhe pasiguria politike që ka shoqëruar vendin.
Gani Qarri “Sa i takon ciklit të panevojshëm të përsëritjes së zgjedhjeve, edhe qytetarët tanimë dëshmuan se janë të lodhur nga proceset e shpeshta të votimeve dhe pasiguria politike në vend, kurse përsëritja e zgjedhjeve tregoi qartë, se nuk sjell domosdoshmërisht ndryshim të madh politik dhe përsëritja e tyre e panevojshme, vetëm sa rrit edhe më tepër pakënaqësinë e elektoratit, gjë që flet botërisht se pa marrë parasysh shpeshtësinë e mbajtjes së votimeve dhe numrin e zgjedhjeve të përsëritura, zgjidhja e vetme e qëndrueshme dhe reale, mbetet kompromisi ndërpartiak, për krijimi i institucioneve funksionale të shtetit, vendosjen e stabilitetit politik e institucional dhe ecjen e vendit përpara” , ka thënë ai.
Sipas tij, zgjidhja e vetme e qëndrueshme mbetet kompromisi ndërpartiak për krijimin e institucioneve funksionale dhe garantimin e stabilitetit politik. Ai ka përshëndetur gatishmërinë e kryeministrit Kurti, për bisedime me partitë opozitare pas përmbylljes së procesit zgjedhor, duke theksuar se vendi ka nevojë urgjente për institucione legjitime.
“Me shprehjen e gatishmërisë nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, për bisedime me partitë opozitare, menjëherë pas përmbylljes së procesit zgjedhor, numërimit të të gjitha votave dhe certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke pasur parasysh vonesat e mëdha dhe nevojat urgjente që ka vendi për Qeveri dhe institucione legjitime shtetërore, duhet të fillohet sa më parë me procedurën e konstituimit të Kuvendit, formimin e Qeverisë dhe të institucioneve të reja shtetërore të Republikës së Kosovës, të dala nga legjislatura e 11, për sigurimin e stabilitetit institucional dhe qeverisës në Kosovë”, ka potencuar ai.
Gjithashtu, Qarri ka nënvizuar se ngërçet politike dhe bllokadat institucionale të vitit të kaluar, si dhe zgjedhjet e përsëritura, nuk prodhuan ndryshime domethënëse, prandaj partitë duhet të kenë nxjerrë mësimet e nevojshme.
“Ngërçet politike dhe bllokadat institucionale të cilat zgjatën pothuajse gjatë gjithë vitit të kaluar, si dhe përsëritja e zgjedhjeve të parakohshme vetëm pak muaj pas atyre të 28 dhjetorit 2025, përveçse nuk sollën ndryshime në radhitjen e partive dhe shënuan fare pak dallime, pothuajse gati jo-domethënëse edhe sa i takon numrit të deputetëve, besojë që partitë politike të kenë marrë mësim të mjaftueshëm dhe kësaj radhe të sillen më me përgjegjësi e të mos rrezikojnë ta qojnë vendin vetëm pas pak muajsh serish në zgjedhje të parakohshme, të lodhshme për qytetarët, aspak të nevojshme për vendin dhe shumë të dëmshme edhe për imazhin e shtetit të Kosovës”, ka vlerësuar.
Duke folur për mundësinë e formimit të institucioneve, Qarri ka nënvizuar se Vetëvendosje, së bashku me deputetët e komuniteteve joserbe, mund të sigurojë votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe miratimin e Qeverisë.
“LVV me 53 ulëset e siguruara në Kuvend, bashkë me deputetët e minoritetit jo-serb, ka mundësi edhe pas zgjedhjeve të 7 qershorit ta konstituojë Kuvendin dhe miratojë Qeverinë e re për formimin e të cilave mjaftojnë 61 vota pro-në seancën parlamentare, por përveç partisë në pozitë kësaj radhe edhe partitë opozitare duhet përfundimisht të tregohen më kooperuese dhe të gatshme për të kontribuar në zgjedhjen e presidentit të vendit, në mënyrë që Kosova të mos dënohet përsëri me shkuarje në zgjedhje të reja të parakohshme, me të cilat janë lodhur edhe qytetarët, zhgënjim që u dëshmua edhe me mosdaljen e një mase të madhe të tyre në votimet e 7 qershorit”, ka theksuar ai.
Më tej, ai ka paralajmëruar se vazhdimi i bllokadave politike mund të sjellë rënie edhe më të madhe të pjesëmarrjes qytetare në zgjedhje.
“Është momenti vendimtar që partitë politike interesin shtetëror, ta vendosin mbi interesin partiak dhe të heqin dorë përfundimisht nga ngërçet dhe bllokadat institucionale, ndryshe nëse ato nuk kanë marrë mësim nga mesazhi i votuesve dhe ndëshkimi i qytetarëve në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 si dhe këto të 7 qershorit dhe provojnë serish që me ngërçe e bllokada politike ta detyrojnë vendin të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme, është mese e qartë se në shenjë proteste dhe shprehjes së pakënaqësisë masive, me veprimet e papërgjegjshme të partive politike, do të bie në mënyrë edhe më drastike numri i votuesve, madje ndoshta deri në ato përmasa tragjike, sa të mos ketë më kuptim as formim i institucioneve të shtetit”, ka cilësuar Qarri.
Në fund, ai ka ngritur alarmin për pasojat që mund të ketë një tjetër cikël zgjedhjesh të jashtëzakonshme, duke paralajmëruar rrezik për legjitimitetin e institucioneve.
“Urojmë që asnjë nga partitë politike të mos provojnë më të luajnë me verdiktin e qytetarëve, as ta rrezikojnë me vetëdije vazhdimësinë e shtetit tonë të brishtë, sepse nëse nuk arrihet kompromis për zgjedhjen e presidentit dhe Kosovës përsëri i imponohet nga politika e mbrapshtë të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, do të bie edhe më poshtë numri i votuesve, ashtu që edhe nëse pas zgjedhjeve, formohen institucionet, numri i vogël i votuesve pjesëmarrës në zgjedhje, nënkupton drejtpërsëdrejti mungesën e mbështetjes së mjaftueshme edhe ligjore, me çfarë vihet në pikëpyetje edhe fuqia kushtetuese e funksionalitetit të institucioneve të cilave mund tu mungojë legjitimiteti për të udhëhequr edhe me shtetin dhe shkaku i mosbashkëpunimit të partive shqiptare, Kosova 27 vite pas çlirimit nga okupimi serb, me fajin e politikës së ç ‘akorduar vendore, të shndërrohet në precedent ndërkombëtar të “de-legjitimitetit” institucional, që do të ishte përveçse dëm i pa-kapërdijshëm kolosal edhe turp i pafalshëm historik për të gjithë shqiptarët”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.
