Me mesazhe për shpresën, lumturinë dhe jetën familjare, në Stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë sot përfundoi Kongresi treditor i Dëshmitarëve të Jehovait me temën “Lumturi e përhershme”, i cili ka mbledhur rreth 1.500 deri në 2.000 pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe vende të tjera.
Dëshmitarët e Jehovait janë një organizatë e krishterë ndërkombëtare e njohur për veprimtarinë e saj të predikimit biblik dhe edukimit fetar. Ata janë të pranishëm në shumë vende të botës dhe organizojnë rregullisht kongrese, takime publike dhe programe edukative të bazuara në Shkrimeve të Shenjta.
Përfaqësuesi lokal për media i Dëshmitarëve të Jehovait në Kosovë, Arbër Cërvadiku, tha se ky është kongres i veçantë, sepse organizohet për herë të parë me përmasa kaq të mëdha.
Cërvadiku: Është kongres i veçantë, rreth 2.000 persona sot në stadiumin “Fadil Vokrri” po e dëgjojnë këtë program “Që nga vitet ’70, kur Dëshmitarët e Jehovait janë në Kosovë ne kemi vazhduar të mbajmë kongrese të përvjetshme. Por ky kongres është një kongres i veçantë, sepse organizohet për herë të parë me përmasa kaq të mëdha.
Rreth 2.000 persona sot në stadiumin “Fadil Vokrri” po e dëgjojnë këtë program. Janë të ftuar gjithë komuniteti edhe kemi pasur pjesëmarrës nga komunitete të ndryshme, të besimeve të ndryshme fetare, por gjithashtu edhe pjesëtarë të organizatës sonë nga organizata në Shqipëri edhe në vende të tjera të botës”, tha Cërvadiku.
Ai tha se tema e këtij viti trajton një nga nevojat më të mëdha të shoqërisë moderne, duke ofruar këshilla praktike për jetën familjare dhe shoqërore. Cërvadiku: Tema e kongresit “Lumturi e përhershme” “Siç e shikojmë nga tema, “Lumturi e përhershme” është një temë e veçantë. Sot është shumë e vështirë për ta gjetur lumturinë, por është shumë e lehtë për ta humbur atë.
Ky kongres që është bazuar tek shkrimet e shenjta na ndihmon të gjithëve: qoftë nëse jemi bashkëshortë si të jemi më të mirë, qoftë nëse jemi prindër si ta luajmë rolin më të mirë, fëmijët i mëson se si të jenë më të përgjegjshëm ndaj prindërve. Të gjithë ne si qytetarë na mëson se si të jemi qytetarë më të mirë në komunitetin ku jetojmë”, tha Cërvadiku.
Gjatë tri ditëve të aktivitetit, pjesëmarrësit po ndjekin ligjërata nga oratorë të përzgjedhur si dhe materiale audiovizuale që trajtojnë tema të ndryshme biblike.
Cërvadiku: Të gjithë oratorët që po mbajnë këto fjalime janë të përzgjedhur nga organizata “Gjatë këtyre tri ditëve të kongresit kemi, siç e keni parë edhe ju, kemi një skenë ku oratorë të ndryshëm mbajnë fjalimet, ligjëratat e tyre.
Gjithashtu kemi disa ekrane që janë vendosur, ku atje po luhen video edhe drama të bazuara në shkrimet e shenjta, ku njerëzit mund të mësojnë prej tyre…Të gjithë oratorët që po mbajnë këto fjalime janë të përzgjedhur nga organizata jonë edhe patjetër, ata bëjnë fjalime sepse janë studiues të shkrimet e shenjta dhe ata i zbërthejnë fjalimet edhe i mbështetin pikërisht nga këto shkrime”, u shpreh Cërvadiku.
Sipas tij, interesimi i qytetarëve dhe i pjesëmarrësve nga komunitete të ndryshme ka qenë i madh gjatë ditëve të kongresit, ndërsa organizatorët e konsiderojnë këtë një mundësi për të ndarë mesazhe pozitive dhe shpresëdhënëse.
Duke folur për pritjet nga ky organizim, Cërvadiku tha se qëllimi kryesor është që pjesëmarrësit të largohen me një ndjenjë më të madhe lumturie dhe me dëshirën për të zbatuar mësimet që marrin gjatë programit.
Cërvadiku: Qëllimi i Perëndisë është që ai të na japë fjalën e tij, por ne jemi të lumtur vetëm kur e zbatojmë atë “Ne presim të jemi akoma më të lumtur, të dalim akoma më të lumtur sepse ky ishte qëllimi i këtij kongresi, edhe jemi të sigurt që ne do të jemi më të lumtur. Do të mësojmë shumë gjëra siç kemi përmendur më herët. Edhe ajo që pritet prej neve si njerëz është t’i zbatojmë.
Qëllimi i Perëndisë është që ai të na japë fjalën e tij, por ne jemi të lumtur vetëm kur e zbatojmë atë. Jemi të bindur plotësisht që lumturia e vërtetë vjen vetëm kur kemi një marrëdhënie të mirë me Perëndinë”, përfundoi Cërvadiku. Organizatorët bënë të ditur se kongresi synon të ofrojë përgjigje praktike për sfidat e përditshme të njerëzve, duke u mbështetur në mësimet biblike.
Në kuadër të programit po prezantohen fjalime, intervista, video dhe drama të bazuara në Shkrimet e Shenjta, ndërsa temat kryesore përfshijnë “Lumturia e përhershme — A është realiste?”, “Pse je në ankth?” dhe “A e ke zbuluar thesarin?”.
Vitin e kaluar, Dëshmitarët e Jehovait organizuan mbi 6.000 kongrese në afro 500 gjuhë me temën “Adhurimi i Pastër”, ku morën pjesë më shumë se 12 milionë njerëz në mbarë botën.
