​Liqeni i Badovcit plot mbeturina, “Ta pastrojmë Kosovën”: Të ndërhyhet urgjentisht

0%

Organizata “Ta pastrojmë Kosovën” ka ngritur shqetësimin për gjendjen e krijuar pranë digës së Liqenit të Badovcit, ku sipas saj zona është shndërruar sërish në vendgrumbullim mbeturinash.

Në një postim në Facebook, kjo organizatë thekson se më 22 mars, në Ditën Botërore të Ujit, në këtë zonë ishte organizuar një aksion pastrimi me pjesëmarrjen e vullnetarëve, institucioneve, organizatave, mediave dhe qytetarëve, gjatë të cilit ishin larguar sasi të mëdha mbeturinash. Megjithatë, sipas organizatës, gjendja sot është përsëri alarmante.

Organizata kërkon masa urgjente nga institucionet përgjegjëse, përfshirë kontroll më të madh, parandalim të ndotjes, ndëshkim për ndotësit dhe zgjidhje të qëndrueshme për zonën. Postimi i plotë: Kjo është gjendja sot në afërsi të digës së Liqenit të Badovcit. Pamjet flasin vetë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Një zonë kaq e rëndësishme për ujin, natyrën dhe jetën e qytetarëve është shndërruar përsëri në vendgrumbullim mbeturinash. Më 22 mars, në Ditën Botërore të Ujit, ne organizuam aksion pastrimi në këtë zonë. U mobilizuan vullnetarë, institucione, organizata, media dhe qytetarë. U larguan sasi të mëdha mbeturinash. Por sot, vetëm pak kohë më pas, gjendja është sërish alarmante.

Kjo tregon qartë se problemi nuk zgjidhet vetëm me aksione vullnetare. Ne mund të pastrojmë, mund të mobilizojmë njerëz, mund të kthehemi përsëri e përsëri në terren, por pa masa konkrete nga institucionet përgjegjëse, ndotja do të vazhdojë të përsëritet. Liqeni i Badovcit furnizon me ujë të pijes një pjesë të madhe të Prishtinës dhe disa komuna të tjera.

Prandaj, kjo nuk është vetëm ndotje e natyrës. Kjo është neglizhencë ndaj një burimi jetik të ujit. Kërkojmë masa urgjente nga institucionet përgjegjëse: kontroll më të madh, parandalim të ndotjes, ndëshkim për ndotësit dhe zgjidhje të qëndrueshme për këtë zonë. Si organizatë, shumë shpejt do të organizojmë aksionin e radhës për pastrimin e kësaj zone.

Por duhet të jetë e qartë: vullnetarët nuk mund të jenë zëvendësim për përgjegjësinë institucionale. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje qytetarëve: mos e ndotni natyrën. Mos i hidhni mbeturinat pranë liqeneve, lumenjve dhe burimeve të ujit. Ajo që hidhet sot në natyrë, nesër kthehet si problem për të gjithë ne. Badovci duhet të mbrohet. Uji duhet të mbrohet. Përgjegjësia duhet të fillojë tani.

Burimi: Bota Sot